Përmbajtjet e prodhuara nga Deutsche Welle në gjuhën turke (DW Türkçe) me bazë në Gjermani, periodikisht bëhen objekt diskutimesh në Türkiye (Turqi). Në këtë kuadër, është e mundshme që emri DW Türkçe të haset në masmedia të ndryshme, përfshirë edhe rrjetet sociale. Përdoruesit e Twitter-it, duke shpërndarë disa përmbajtje të përgatitur nga DW Türkçe shpeshherë reagojnë, kritikojnë dhe theksojnë se DW Türkçe ka një qasje më paragjykuese ndaj Türkiye-s sesa DW.
Ndërkohë, kur bëhet pozicionimi mendor i DW Türkçe, kjo zakonisht bëhet duke krijuar një marrëdhënie midis shtetit gjerman dhe DW. Në prapavijën e kësaj qëndron se DW është organ zyrtar transmetues i shtetit gjerman dhe me mbështetje të Gjermanisë posedon një kapacitet transmetues në vende të ndryshme në gjuhët e këtyre vendeve. Pa dyshim, ata që e zotërojnë pak më shumë çështjen, e bazojnë këtë qasje nga impresumi dhe sfondi historik i DW-së. Prandaj, kur bëhet një transmetim nga DW Türkçe, qytetari automatikisht krijon lidhjen e kësaj me Gjermaninë. Kjo mënyrë e perceptimit mund të kundërshtohet nga drejtuesit e DW-së dhe mund të thuhet se nuk ka asnjë lidhje mes politikave të tyre të përgjithshme të transmetimit dhe shtetit gjerman. Madje mund të theksojnë se janë një organ mediatik i pavarur i veçuar nga të gjitha qendrat e pushtetit, se kapitalin e tyre e fitojnë duke kryer profesionin e gazetarisë dhe falë këtyre të ardhurave kanë krijuar shërbime gazetareske në vende të ndryshme. Ata kanë të drejtë për një lloj qasjeje të tillë. Në fund të ditës, publiku është ai që do të vendosë çka është e drejtë dhe do të bëjë një pozicionim sipas vetes. Por tani, në aspektin e shoqërisë në Türkiye, ka një gjendje që është e vërtetë e pamohueshme dhe sipas shoqërisë, DW Türkçe, përkufizohet si organ zyrtar transmetues i Gjermanisë dhe kur publikohet një përmbajtje në këtë platformë, automatikisht vendoset një lidhje mes kësaj përmbajtjeje dhe politikës së jashtme të shtetit gjerman. Sipas drejtuesve të DW, nëse kjo formë e qasjes nuk pasqyron të vërtetën dhe se nëse është vetëm një formë perceptimi atëherë përmirësimi i kësaj është në duart e tyre.
Lajme të bazuara në standarde të dyfishta
Një ndër pikat më të rëndësishme që tërheq vëmendjen në lajmet e përgatitura nga DW Türkçe, është standardi i dyfishtë. Me shembuj mund të shpjegohet se si DW Türkçe ka qasje pozitive ndaj ngjarjeve-proceseve që ndodhin në Gjermani ose vende tjera, ndërsa kur bëhet fjalë për Türkiye-n, qasja shndërrohet në negative. Për shembull, kur në rend dite erdhën rregulloret ligjore rreth publikimeve të kompanive të rrjeteve sociale, lidhur me projektligjin e njëjtë në Gjermani bëhet një lajm pozitiv. Në nëntitullin e lajmit në fjalë të publikuar më 30 qershor 2017, “Parlamenti gjerman miratoi ligjin që ngarkon përgjegjësi më të rrepta faqeve të rrjeteve sociale për të luftuar me postimet me përmbajtje urrejtjeje. Tashmë Facebook dhe Twitter duhet të luftojnë më rreptësisht ndaj urrejtjes” është përdorur një gjuhë më pozitive dhe përmbajtja e lajmit është përcaktuar në këtë drejtim.
Nga ana tjetër, tërheq vëmendjen se DW Türkçe në lajmin e publikuar lidhur me projektligjin e ngjashëm të përgatitur në Türkiye, ka një qasje të ndryshme. Me titullin e zgjedhur të lajmit të publikuar më 18 qershor 2022, “Mijëra persona do të përballen me ndjekje penale” rregullorja shpërndahet me dimensionin e saj negative. Ndërkaq, nëntitulli “Eksperti i ligjit kibernetik, Yaman Akdeniz, i cili vlerësoi ‘ligjin e dezinformimit’ për DW Türkçe, paralajmëroi se ‘mijëra njerëz do të dalin para drejtësisë’ për krimin e ‘përhapjes publike të informacionit mashtrues’ sipas rregullores” është transmetuar në mënyrë që të mbështesë titullin. Ka përmbajtje intensive për të mbështetur të njëjtin paragjykim në të gjithë lajmin, duke përfshirë pjesën e hyrjes, trupit dhe përfundimit. Në lajm nuk u është dhënë pjesë mendimit të juristëve që e mbështesin projektligjin në fjalë dhe injorohet pikëpamja e cila dëshiron që ky projektligj të bëhet ligj. Përveç kësaj, vizuali i përdorur në promovimin e faqes së video lajmeve të DW Türkçe në Twitter është përfshirë si një element mbështetës në përmbajtjen e lajmit. Në njërën nga dy shprehjet e përdorura, “rregullorja e njohur si ‘ligji i dezinformimit’ është një përgatitje zgjedhore sipas ekspertit të ligjit kibernetik @cyberrights”, ndërsa tjetra i referohet drejtpërdrejt politikës së brendshme të Türkiye-s dhe thotë “Përderisa i afrohemi zgjedhjeve të vitit 2023, qindra e madje mijëra njerëz do të përballen me hetimin apo ndjekjen penale nga kjo tipologji e re të krimit”. DW Türkçe në një lajm tjetër të publikuar më 2 korrik 2020, kishte bërë një postim të ngjashëm me titullin “Liria e internetit në Türkiye nën kthetrën e rregullores”.
Shprehjet në këtë “screenshot” (pamje e ekranit), i shpërndarë nga llogaria e DW Türkçe në Twitter dhe i vendosur në lajm, duket se është zgjedhur për ta bërë publike këtë çështje në një mënyrë më sensacionale. Megjithatë, fakti që fraza në titull është mendim i një avokati, nuk e përjashton DW Türkçe kur shqyrtohet në kuadër të analizës së diskursit. Qëndrimet e tilla në gazetari si, se cila përmbajtje do të vihet në fokus, si do të jetë titulli, opinioni i kujt do të merret dhe se cila në çfarë mënyrë do t’i transmetohet lexuesit, janë reflektimi i politikës së përgjithshme editoriale dhe se dizajni i përmbajtjes bëhet sipas kësaj. Prandaj siç mund të shihet këtu, DW Türkçe lidhur me rregulloret ligjore për rrjetet sociale në rastin e Gjermanisë paraqet një qasje pozitive, kurse për Türkiye një qasje negative. Kjo formë e qasjes e cila ndiqet me vëmendje nga përdoruesit e platformave të rrjeteve sociale në Türkiye, përkufizohet si standart i dyfishtë. Duke qenë se është publikuar në DW Türkçe, vlerësohet se është i lidhur me politikën e jashtme të Gjermanisë.
Në kundërshtim me miqësinë Türkiye-Gjermani
Tema e “Punonjësve të seksit-prostitutet” ishte një temë tjetër që tërhoqi reagim intensiv në rrjetet sociale. Lajmi fillimisht i publikuar nga kanali +90 në Youtube me temën “Të qënurit punonjës seksi”, “Yasemin është një punonjëse seksi dhe e don punën e saj”, më pas u publikua edhe nga servisi DW Türkçe. Nëse shikojmë përmbajtjen e lajmit mund të shohim përmbajtje të tilla se gratë që janë punonjëse seksi-prostituta në Türkiye, fitojnë shumë pare dhe se jetojnë një jetë të mirë. Nëse e shikojmë përmbajtjen e lajmit, mund të shihet se ka një nxitje për ta bërë këtë punë. Menjëherë pasi i njëjti lajm u transmetua edhe nga DW Türkçe, përdoruesit e rrjeteve sociale nëpërmjet postimeve të tyre theksuan se e njëjta DW për Türkiye-n këtë çështje e ka treguar pozitivisht, kurse për Gjermaninë negativisht. Në njërën nga këto shembuj, më datë 22 qershor 2018, në fokus të lajmit është vendosur se në Gjermani prostitutet rrihen dhe se mezi paguajnë qiranë, pra ishte përfshirë një qasje negative. Ndërkaq në fotografinë e lajmit është përdorur një fotografi degraduese. Ndërkohë, duhet theksuar se kanali +90 është krijuar bashkërisht nga 4 grupe mediatike me qendër në Gjermani, SHBA, Britani e Madhe dhe Francë për të transmetuar në turqisht në vitin 2019, dhe DW është në qendër të këtij organizimi.
Përfundimisht, është e mundur që të transmetohen edhe shembuj të tjerë që përmbajnë standarde të tilla të dyfishta. Për shkak të përmbajtjeve të këtij konteksti, DW Türkçe kritikohet nga përdoruesit e rrjeteve sociale në Türkiye për mospërputhjet e saj në gazetari. Ndërsa si rezultat i lidhjes automatike mes DW Türkçe dhe Gjermanisë, në mendjet e qytetarëve lind një pikëpyetje për politikën e jashtme të Gjermanisë ndaj Türkiye-s për shkak të lajmeve të tilla. Ndoshta Gjermania nuk është në dijeni të të gjithë këtyre përmbajtjeve dhe llojit të qasjes. Sepse miqësia dhe afërsia Türkiye-Gjermani ka marrëdhënie dhe miqësi të rrënjosura nga Sulltan Abdülhamit i II deri tek Ataturku dhe prej andej e deri më sot. Meqenëse shumë përdorues të rrjeteve sociale e dinë dinamikën historike të miqësisë Türkiye-Gjermani, ata nuk mund t’i japin kuptim që përmbajtjet e tilla të bazuar në standarde të dyfishta po bëhen kundër Türkiye-s. Nëse i kthehemi titullit, duket se pyetja se kë e përfaqëson në të vërtetë DW Türkçe dhe në emër të kujt prodhon përmbajtje, ndoshta do të ngrihet më fuqishëm në periudhën e ardhshme.
DW Türkçe është në rend dite të publikut jo vetëm për shkak të lajmeve të tilla paragjykuese, por edhe sepse nuk merr parasysh rregulloret ligjore që përcaktojnë parimet e transmetimit të institucioneve përkatëse në Türkiye. Në këtë kontekst, më 30 qershor gjyqësori njoftoi një vendim që pezullon aksesin në DW Türkçe. Këshilli Suprem i Radio dhe Televizionit të Türkiye-s (RTÜK) në muajin shkurt kishte njoftuar se uebfaqet ndërkombëtare të lajmeve që bëjnë transmetime në gjuhën turke do të inspektohen. RTÜK, u kishte dhënë 72 orë Zërit të Amerikës, DW Türkçe dhe Euronews për licencë, duke njoftuar ata që nuk do të aplikojnë për licencë do t’u bllokohet aksesi. Vendimi i 30 qershorit nga organet e drejtësisë është dhënë pikërisht për shkak se nuk është respektuar ky rregull.
Është një mister pse DW Türkçe nuk respekton rregulloret ligjore që përcaktojnë parimet e transmetimit në Türkiye.