Me një zë të përlotur, Zareena Darr rrëfen se si ishte jeta në vitin 1978 në Toronto, Kanada.
“Kushdo që papritmas ka emigruar nga një vend në tjetrin ndihet i vetmuar, veçanërisht nëse nuk e njeh gjuhën”, thotë ajo në gjuhën e saj amtare Potuari (Pothwari).
Potuari është një dialekt vetëm gojor që flitet kryesisht në rrafshnaltën Pothohar në verilindje të Pakistanit, përkatësisht në provincat Khyber Pakhtunkhwa dhe Punjab në Pakistan.
“Nuk kishte aq shumë njerëz në komunitetin tonë me të cilët mund të bisedonim. Isha vetëm dhe e dëshpëruar”, thotë ajo.
E lindur në Gujar Khan në Punjab, Darr u martua dhe emigroi në Toronto në fund të viteve të saj të njëzeta. Për arsye se nuk dinte shkrim dhe lexim, Darr shpjegon si ajo regjistroi “letrat” në kaseta që i dërgonte motrës së saj, e cila njëjtë si ajo, ishte analfabete dhe emigroi në Manchester të Mbretërisë së Bashkuar pas martesës së saj.
“I tregoja asaj për veten time dhe (lajmet) nëse dikush vdiste ose martohej. Ndihesha e lumtur pasi që mund të komunikoja në këtë mënyrë, por brenda meje kishte shumë dëshpërim që nuk mund të lexoja apo shkruaja”, thotë Darr.
Në këtë mënyrë, Darr dhe motra e saj, Halima Jabeen, komunikuan me njëra-tjetrën për gati një dekadë, letrat i regjistronin në kasetafonë dhe i dërgonin me postë ose përmes të afërmve.
Disa vite më vonë, Wajid Yaseen, djali i Jabeen-it dhe themeluesi i Modus Arts, një kolektiv audio-artistësh, gjeti një kasetë të tillë në shtëpinë e familjes. Si fëmijë, atij shpesh i kërkohej të regjistrojë përshëndetje në kasetë për të afërmit e tij në Pakistan.
“Kur mu kujtua se familja ime e bëri këtë, isha kureshtar të zbuloj nëse edhe familjet e tjera po përdornin këtë mënyrë jo-konvencionale të komunikimit”, tha Yaseen për TRT World.
Doli se shumë familje britaniko-pakistaneze komunikonin në mënyrë identike.
Emigrimi në Mbretërinë e Bashkuar
Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore, në vitet e 1950'ta emigrantët pakistanezë në përmasa masive emigruan dhe gjetën punë në industrinë e çelikut dhe tekstilit në Mbretërinë e Bashkuar. Me qasje të kufizuar në arsimin formal, shumë prej tyre nuk dinin shkrim dhe lexim kur emigruan në Mbretërinë e Bashkuar.
Rrethi Mirpur i rajonit Azad Jammu dhe Kashmir pa një eksod të vërtet. Ndërtimi i digës Mangal në vitet e 1960’ta çoi në zhvendosjen e mijëra pakistanezëve. Kur komuniteti emigroi në Mbretërinë e Bashkuar, ata me vete sollën dy gjuhë, atë Urdu (të shkruar) dhe atë Potuari (gojore).
Pasi nuk kishin gjuhë të shkruar, nuk mundnin të dërgonin letra në vendlindje. Telefonatat në Pakistan ishin shumë të shtrenjta. Nga ana tjetër, mesazhet zanore në shirin e kasetave ishin një zgjidhje e lehtë, si dhe ishin të ri-përdorshme dhe të përballueshme.
Megjithatë, përderisa rrjetet telefonike u zhvilluan në Pakistan dhe telefonat në Mbretërinë e Bashkuar u bënë më të lira, njerëzit braktisën kasetat dhe u adaptuan me teknologjitë e reja.
Projekti i “Letrave verbale në shiritin e kasetës”
Për të gjetur kaseta të tjera, Yaseen në vitin 2018 nisi projektin e “Letrave verbale në shiritin e kasetës”. Piloti i historisë gojore kërkon të gjejë kaseta dhe të dokumentojë përvojat e emigrantëve pakistanezë që emigruan në Britani midis viteve 1950 dhe 1960. Gjatë tre viteve të fundit projekti ka gjetur 45 kaseta me mesazhe të regjistruara jo vetëm në gjuhën Potuari, por edhe në gjuhët Urdu, Punjabi dhe Pashto.
“Kemi gjetur shumë histori të mahnitshme, të jashtëzakonshme. Ato janë momente shumë private dhe intime. Në kaseta dëgjohet një nënë duke qarë që i dërgon një mesazh vajzës së saj mijëra kilometra larg, gjë që ngjall emocion të fortë dhe të thellë tek dëgjuesi”, thotë Yaseen.
Kasetat origjinale dhe intervistat me ata që e mbajnë mend këtë praktikë janë vendosur në Institutin Bishopsgate në Londër. Me pandeminë, projekti është zhvendosur në ekspozita online ku pjesëmarrësit mund të shfletojnë përmes një galerie arkivore virtuale.
“Familjet mund të dëgjonin zërat dhe mesazhet e njerëzve të dashur në mënyrë të përsëritur, pa presionin e kohës dhe pa asnjë kosto”, shpjegon Yaseen.
Kjo mënyrë komunikimi luajti një rol të rëndësishëm në bisedat e familjeve britaniko-pakistaneze që flisnin gjuhën Potuari, duke nxitur entuziazëm rreth vetë ndodhisë “Le të regjistrojmë një kasetë dhe ta dërgojmë atë së bashku”.
“Këto ‘letra virtuale në shiritin e kasetave’ japin një pamje unike në një pjesë specifike të jetës së dërguesit”, thotë Yaseen.
Derisa letrat në kasetë diktojnë zërat e komunitetit pakistanez në Britani, universalizimi i historive njerëzore është pjesa më kryesore e projektit. Gjatë hulumtimit ekipi zbuloi se kjo praktikë ekzistonte edhe në komunitetin e Bangladeshit në Britani.
“Ka gjithçka, nga bisedat shtëpiake deri në mesazhet thellësisht personale për dashuri, deri në reflektimet se si janë ndjerë emigrantët që janë shpërngulur dhe kanë lënë familjet e tyre”.
Dëshmi dashurie dhe tragjedi familjre
Derisa kasetat mund të regjistroheshin kudo, më shpesh nëpër shtëpi, ato gjithashtu përmbajnë mesazhe shumë intime. Mes tyre është edhe kaseta e dy adoleshentëve të dashuruar, Asim dhe Asma Mirza.
Asim, banor i qytetit Bradford, duhej të martohej me Asma-n nga qyteti Gujar Khan, Pakistan. Pasi ishte një martesë e rregulluar, Asma nuk mund të fliste lirshëm me të në vizitën e parë në prani të anëtarëve të familjes.
“Ne po martoheshim dhe doja të dija pak më shumë për të. Nuk pata mundësi kur isha në Pakistan. Kështu fillova të regjistroja (veten duke folur) dhe diku në mes regjistroja një apo dy këngë për të përfunduar kasetën”, shpjegon Asim.
Ata i dërgonin njëri-tjetrit kaseta çdo dy javë dhe për tre vjet ranë në dashuri me emocionet e shprehura në kasetë.
“Duke pritur postierin pyesja veten se kur do të shfaqej dhe do të ma sillte kasetën. Dhe kur e sillte, unë e hapja menjëherë dhe e dëgjoja. Ato ndjenja nuk mund t’i përshkruaj”, thotë me nostalgji Asma.
E diagnostikuar me kancer në gjak, nëna Kammar Mirza i kishte dërguar Asma-s, që banonte në Bradford, një kasetë nga Pakistani.
“Mjekët thanë se ajo nuk do të jetojë për shumë kohë. Isha në muajin e nëntë të shtatzënisë, kështu që nuk mund të shkoja për ta vizituar”, thotë Mirza.
“Nëna ime më dërgoi një kasetë, duke thënë se po lutej për mua dhe më thoshte ‘Zoti të bekoftë me një djalë’ “.
Kur i porsalinduri i Asma-s ishte katër javësh, nëna e saj ra në koma dhe ndërroi jetë pasi ajo mbërriti në Pakistan.
Projekti gjithashtu dokumenton se si gjuha transformohet dhe ndryshohet.
“Gjithashtu zbuloi mënyrat e zgjuara në të cilat njerëzit përshtatin teknologjinë për t’ju përgjigjur nevojave të tyre kudo që janë dhe ngado që janë”, shton Yaseen.
Sa i përket motrave Zareena Darr dhe Halima Jabeen, ata tani komunikojnë në WhatsApp dhe siç thotë Yaseen me shaka, tani për të mbajtur kontakte përdorin “pajisje me prekje të ngjashme si ato të Udhëtimit Yjor (Star Trek)”.