Shqipëri, një vit “i artë” për turizmin!        / Foto: AA

Përgjatë vitit 2024, Shqipëria ka qenë në qendër të vëmendjes jo pak herë për destinacionet që duhen vizituar, e që janë vlerësuar si “perla e Ballkanit”. Në një analizë nga Organizata Botërore e Turizmit të Kombeve të Bashkuara (UNWTO), Shqipëria është renditur e para në Evropë për rritjen e numrit të vizitorëve dhe e dyta në botë pas Katarit.

TRT Balkan sjell një panoramë të përgjithshme të turizmit në Shqipëri për vitin 2024.

Sipas të dhënave zyrtare nga instancat e Shqipërisë, vetëm nga Aeroporti Ndërkombëtar “Nënë Tereza” kanë mbërritur 10 milionë pasagjerë këtë vit.

Sa u takon shteteve të origjinës, Kosova dhe Italia zënë peshën kryesore, gati gjysmën, 5 milionë.

Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Greqia, Gjermania, Polonia, Türkiye dhe Mbretëria e Bashkuar kryesojnë listën.

Sipas Instatit, India, Kina, Estonia, Franca dhe Türkiye kanë shënuar rritjen më të madhe, krahasuar me një vit më parë.

Ndërkaq, 5 destinacionet më të preferuara të turistëve rezultojnë: Kalaja Gjirokastër, Muzeu “Gjergj Kastrioti”, Krujë, Parku Arkeologjik, Shkodër, Parku Arkeologjik Butrint dhe Parku Arkeologjik Apolloni.

Ndërsa mesatarisht, një turist ka shpenzuar 400 euro, sipas të dhënave zyrtare të Bankës së Shqipërisë, të huajt kanë shpenzuar 3,8 miliardë euro në 9 muajt e parë të vitit, në total.

Përtej shifrave rekord të turistëve, një diskutim që ka shoqëruar të gjitha hapësirat mediatike përgjatë 2024-s është se Shqipëria po shihet si një destinacion i lirë, e se turistët “që harxhojnë pak” nuk janë në interes të vendit.

Ministrja e Turizmit Mirela Kumbaro është shprehur se në Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2024-2030, Shqipëria synon të shkojë drejt turizmit të qëndrueshëm, e jo atij masiv.

TRT Balkan