Maqedonia e Veriut, si kryesuese e iniciativës "Karta e Adriatikut (A-5)", është nikoqire e Konferencës së 26-të të Shefave të Shtabit të Ushtrive nga vendet anëtare të kësaj iniciative. ShBA-Karta e Adriatikut (A-5) është një iniciativë në të cilën marrin pjesë ShBA-ja, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia, Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina, ndërsa Sllovenia, Serbia dhe Kosova janë vende vëzhguese.
Nisma u zyrtarizua në maj të vitit 2003 kur Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Kroacia dhe ShBA-ja nënshkruan "Kartën e Adriatikut", e cila synonte anëtarësimin e tri vendeve aspirante të atëhershme në NATO.
Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina iu bashkuan zyrtarisht Kartës së Adriatikut në vitin 2008.
Me fjalë hyrëse, konferencën e hapën presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski dhe ministrja e Mbrojtjes, Slavjanka Petrovska.
Presidenti Pendarovski në fjalën e tij tha se Karta e Adriatikut në masë të madhe e ka përmbushur qëllimin e saj fillestar.
Ai tha gjithashtu se kjo konferencë po mbahet në një kohë të sfidave të mëdha të sigurisë për Evropën, të nxitura nga pushtimi rus në Ukrainë.
"Aktualisht, Maqedonia e Veriut është ndër pesë vendet anëtare të NATO-s sipas raportit midis Prodhimit të Brendshëm Bruto dhe ndihmës ushtarake dhe materialo-teknike që i japim Ukrainës në këtë periudhë kritike. Është e vërtetë që lufta në Ukrainë mund të zgjasë. Por, ne jemi të gatshëm të vazhdojmë të ndihmojmë, sepse konsiderojmë se mbrojtja e Ukrainës është mbrojtje e rendit evropian dhe ndërkombëtar të bazuar në parime”, tha Pendarovski.
Ministrja Petrovska në fjalën e saj tha se sivjet është viti jubilar që shënon 20-vjetorin e Kartës së Adriatikut, duke shtuar se iniciativa është dëshmuar të jetë mekanizëm i suksesshëm rajonal për forcimin e besimit ndërmjet shteteve anëtare.
"Rezultatet e veprimit dhe bashkëpunimit të kësaj iniciative janë më se të dukshme dhe të njohura gjerësisht. Katër nga anëtarët ekzistues të saj janë anëtarë të plotë të aleancës së NATO-s, por ne bashkërisht kontribuojmë edhe në mbështetjen e paqes ndërkombëtare dhe në operacione ndërkombëtare", tha Petrovska.
Fjalë hyrëse kishin edhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Maqedonisë së Veriut, gjenerallejtënant-kolonel Vasko Gjurçinovski dhe komandanti i Komandës Supreme të NATO-s për Evropë, gjenerali Christopher Cavoli.
Në konferencë marrin pjesë shefat e Shtabit të Përgjithshëm të ushtrive të Shqipërisë, Bosnjë e Hercegovinës, Kroacisë dhe Malit të Zi, si dhe drejtues të lartë ushtarakë nga Komanda e Përbashkët e NATO-s në Napoli dhe Komanda Evropiane e ShBA-së.
Nga vendet vëzhguese, të pranishëm janë përfaqësues ushtarakë nga Sllovenia dhe Kosova, ndërsa si mysafirë të ftuar në konferencë janë komandantët e Gardës Kombëtare nga shtetet federale të ShBA-së, të cilat janë partnere të vendeve të Kartës së Adriatikut, përkatësisht: Vermont, Minnesota, Iowa, Maryland, Ohio, Colorado, New Jersey dhe Maine.