Anatomia e Protestave / Photo: TRT BALKAN

Protestat janë njohur gjithmonë si një akt rebelimi mbi pakënaqësitë por edhe një akt që ka mbjellë shpresë për ndryshim. Duke nisur nga çështja palestineze, e cila është aktuale, e duke kujtuar protestat që tronditën dikur Ballkanin por edhe botën më gjerë, ju sjellim në vazhdim disa momente nga sakrifica dhe ndikimi që kanë protestat si mjet - për të sjellë drejtësi. Ndërkohë që flasim, në të gjithë botën ka 47 protesta aktive.

Disa që protestojnë për koston e jetesës, të tjerë kundër brutalitetit të policisë, protesta kundër Netanyahut, protesta pro demokracisë dhe protesta nga natyra të ndryshme, por të gjitha këto kanë një gjë të përbashkët…njerëzit nuk janë të kënaqur me situatat në të cilat ndodhen.

Nëse kthehemi pas në kohë, e kuptojmë që bota është formuar jo vetëm nga duart e të fuqishmëve, por edhe nga zërat e njerëzve. Dhe nga protestat që dikur kanë tronditur kombet, bëjnë pjesë edhe vendet Ballkanike, dhe pse kjo sot, duket të jetë, disi... një art i humbur.

Por, le të nisim me diçka aktuale - çështjen palestineze. Që nga tetori i 2023-shit, protestat kanë shpërthyer në mbi 51 vende, siç raportohet nga Carnegie Endowment for International Peace.

Nga protestat kreative, jo të dhunshme, e deri tek rasti i Aaron Bushnell, veteranit të Forcave Ajrore të ShBA-së, i cili i vuri flakën vetes përpara ambasadës izraelite në Uashington-DC, në një akt proteste kundër gjenocidit në Gaza… këto protesta, tregojnë spektrin e gjerë të sakrificës - në emër të drejtësisë.

Por, a duket se e gjithë kjo bie në vesh të shurdhër? Ose, në përgjithësi, pse protestojnë njerëzit?!

Kush mund ta imagjinonte që nga Amerika e Veriut e në Evropë, nga Lindja e Mesme në Amerikën Latine, bota do të bashkohej në një zë, për një thirrje: "Liri për Palestinën"?

Lëvizja, dikur e largët dhe e izoluar, tani bën jehonë në të gjithë globin, e nxitur nga dhimbja, pasioni dhe këmbëngulja e miliona njerëzve. Kjo atmosferë në fakt ngjason shumë me protestat që dikur kishim në Ballkan, ku ato vërtet ndryshuan gjëra!

Si psh, Revolucioni i Bulldozerit të Serbisë në vitin 2000, i cili rrëzoi Slobodan Millosheviqin, ose protestat e Plenumit të Bosnjës në vitin 2014, ku ngriti qytetarët për të kërkuar llogari nga qeveria e tyre. Duhet të mbani mend edhe protestat studentore të Shqipërisë në vitin 2018, të cilat sollën reforma në sistemin arsimor, apo në Kosovë, protestat kundër korrupsionit të Vetëvendosjes që ndezën një lëvizje të pasionuar rinore.

Dhe të mos harrojmë se Albin Kurti, dikur protestues i flaktë, sot është kryeministër i Kosovës.

Kush do të thoshte se protestat mund të çonin në një promovim të tillë? Dhe jo vetëm në Ballkan…

Të mos harrojmë Murin e Berlinit, i cili çoi në vdekjen e shumë njerëzve që u përpoqën të arratiseshin. Në vitin 1989, pas vitesh protesta dhe presion politik, qeveria njoftoi se njerëzit mund të kalonin kufirin, duke çuar kështu në rënien e murit. Rënia e tij simbolizoi fundin e sundimit komunist në Evropën Lindore dhe ribashkimin e Gjermanisë.

Ose, Lëvizja për të Drejtat Civile (1950-1960) në Shtetet e Bashkuara, është një nga shembujt më ikonikë të protestave që çoi në ndryshime thelbësore. Nëpërmjet marshimeve (si marshimi i famshëm në Uashington në 1963) dhe protestave paqësore, aktivistët luftuan kundër ndarjes racore dhe diskriminimit.

Kjo kulmoi me ndryshime historike si Akti i të Drejtave Civile të vitit 1964 dhe Akti i të Drejtave të Votimit të vitit 1965, i cili nxori jashtë ligjit ndarjen racore dhe siguroi të drejtat e votës për afrikano-amerikanët.

Të nxitura nga qëllimi dhe të ushqyera nga pasioni, protestat mund të frymëzojnë revolucione dhe të ndryshojnë vërtet botën. Siç edhe kanë ndryshuar, siç edhe do ndryshojnë përsëri.

TRT Balkan