Në shumë vende të botës ndodh që personazhe të njohur të botës së medias, artit apo kulturës, të marrin vendime “drastike” në dukje, duke hequr dorë nga gjithçka për t’ia nisur nga e para.
I tillë është edhe rasti i Eltonit, i cili pas më shumë se një dekade në televizion si gazetar investigativ, vendosi të lërë zhurmën e metropolit, “i joshur” nga qetësia e fshatit.
Ekipi i TRT Balkan vizitoi fermën e gomaricave të gazetarit, e cila është e para ne Shqipëri e këtij lloji.
“Në rininë e hershme ke nevojë për shumë vrull, ke shumë energji, ke ëndrra, do të ndërtosh një karrierë dhe të rendësh pas jetës moderne, jetës së qytetit. Pastaj vjen një periudhë e dytë ku ti ke nevojë më shumë për qetësi dhe relaks. Këtë ferma ma ka dhënë plotësisht” shprehet Eltoni.
Gazetari tregon se kur e ka ndarë vendimin e tij me familjarët dhe miqtë, nuk ka pasur mbështetje, e se ka qenë e vështirë t’ua përcjellë atyre vizionin e tij.
“Patjetër që ishte shok për familjarët e mi! Nuk e mbështetën. Njerëzit më të afërm të familjes sime më thanë: ‘Jo, mos e lër gazetarinë! Mos u merr me fshatin, s’ka fitim në fshat. Mos u merr me kafshët… nuk je ti, nuk është gjëja jote kjo, ti je një njeri tjetër!’” shpjegon gazetari.
Eltoni vendosi të investojë në tokën e trashëguar nga familja në fshatin Papër të Elbasanit, ku punon prej 5 vitesh tanimë.
“Atyre që janë në qytet u sugjeroj që të marrin njëlloj edukimi dhe të konsiderojnë investimin në fshat dhe nuk është puna vetëm kudo ku ka një zyrë dhe një kompjuter.
Në mentalitet, për ta ndryshuar, një i ri i fshatit duhet të shkojë te qyteti, te edukimi, te studimet, te trajnimi i vetvetes, te ndryshimi i mënyrës se si mendon vetë. Pastaj kthehu dhe investo në fshat. Nuk është më fshati fitimprurës, apo nuk mund të zhvillohet me të njëjtin mentalitet që gjyshërit tanë kanë pasur. Duhet diçka e re ta sjellim në fshat…” thotë Eltoni, bazuar nga eksperienca e tij personale e ndërthurjes së qytetit me fshatin.
Eltoni thotë se ka zgjedhur këtë tipologji ferme për shkak të efekteve kurative të qumështit të gomaricës. Po ashtu, ferma njihet edhe për produkte kozmetike “Made in Albania”, të krijuara në mënyrë artizanale.
I pyetur nëse televizioni është ende në ëndrrat e tij, Eltoni shprehet se gazetaria jeton brenda tij dhe edhe pse në fermë, apo kudo në jetë, ai vazhdon të mendojë si gazetar.
“Të qenët gazetar është akoma në mua dhe ti nuk mund ta zhbësh atë që ke ndërtuar për shumë vite.
Është kujtim i bukur, është nostalgji dhe dashuri për atë profesion, por nuk më ka bërë akoma që unë të kthehem nga gazetaria dhe të heq dorë nga fshati. Për momentin dashuria ime primare është këtu…” mbyll Eltoni fjalën e tij.