Dita e Punëtorëve, Dita e Punës ose Festa e Punëtorëve – me emra të ndryshim, por me qëllim të ngjashëm, më 1 maj shumë vende të botës shënojnë ditën kushtuar punëtorëve, të drejtave të tyre dhe kushteve të tyre të punës.
Kjo ditë u zgjodh për të përkujtuar protestat dhe grevat e punëtorëve në ShBA, në maj të vitit 1866, me kërkesa për orar punë 8-orësh dhe kushte më të mira në përgjithësi. Si rezultat i këtyre protestave, ShBA-ja miratoi ligjin për orar punë prej 8 orë në ditë.
Që atëherë, shumë vende e përvetësuan 1 Majin si ditë kushtuar punëtorëve. Në mbarë botën, sindikatat e punëtorëve shfrytëzojnë këtë ditë për t’u dhënë zë kërkesave të tyre.
Por, si shënohet 1 Maji në rajonin e Ballkanit?
Protesta mes zgarës e valles
Sindikatat e punëtorëve në Tiranë, Prishtinë e Shkup tradicionalisht marshojnë më 1 maj, me kërkesa për kushtet e punës të cilat përsëriten ndër vite.
Por, shumica e qytetarëve e shënojnë ndryshe këtë ditë. Qoftë kodrave pranë liqenit artificial në Tiranë, në parkun e Gërmisë në Prishtinë apo parkun e Sarajit në Shkup, mijëra qytetarë zgjedhin ta shënojnë 1 Majin si ditë feste, pushimi e pikniku.
Shoqëruese tradicionale është zgara, ndërsa shpesh edhe muzika e vallja.
Kërkesat kryesore të punëtorëve në rajon
Rritja e pagës minimale dhe pagave në përgjithësi është një nga kërkesat e përbashkëta të punëtorëve në Tiranë, Prishtinë e Shkup. Sindikatat kërkojnë gjithashtu kushte më të dinjitetshme për punë, respektim i të drejtave sociale të garantuara me ligj dhe të tjera.
Në rajon madje kanë filluar thirrjet për shkurtimin e orarit të punës në 6 orë, duke ndjekur debatin që po zhvillohet në shumë vende të Evropës perëndimore.