Aeroporti i Prishtinës “Adem Jashari” regjistroi katër milionë pasagjerë          / Foto: AA

Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës (ANP) “Adem Jashari” regjistroi sot katër milionë pasagjerë për vitin 2024, përfshirë këtu pasagjerë shqiptarë dhe të huaj, nga brenda e jashtë vendit, që kanë udhëtuar nga dhe drejt Prishtinës, përmes këtij aeroporti.

Në këtë ngjarje e cila u shënua me ceremoni nga ANP, mori pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zv/kryeministren për Çështje të Pakicave dhe të Drejtat e Njeriut, Emilija Rexhepi.

Kryeministri Kurti nënvizoi që nga koha e liberalizimit të vizave ka më shumë se dyfishim të pasagjerëve, 46 për qind rritje të fluturimeve, si dhe ka 16 destinacione të reja e 16 operatorë të rinj.

Me qëllim të përmirësimit të infrastrukturës së aeroportit, kryeministri njoftoi se janë krijuar lehtësira të tjera për zhvillimin e transportit ajror, siç është zgjatja e pistës nga 2.500 metër në 3.040 metër, avancimi i sistemit të aterimit – Instrument Landing System (ILS), i cili ka ndikuar ndjeshëm në rritjen e kapacitetit të aeroportit për pranimin e avionëve më të mëdhenj dhe më shumë fluturime, si dhe hapja e korridorit ajror Kosovë-Shqipëri që ka shkurtuar rrugën e fluturimit nga Kosova për në Bashkim Evropian deri në 15 minuta.

Kryeministri Kurti tha se gjeografikisht Kosova gjendet mu në mes të Ballkanit Perëndimor, çka e bën edhe qendër rajonale dhe pikë strategjike të udhëtimit, dhe se zhvillimi i Kosovës kalon edhe nëpërmjet vendosjes së vendit si urë lidhëse mes shteteve të rajonit, por edhe mes rajonit dhe Evropës Qendrore e perëndimit në përgjithësi.

TRT Balkan / agjencitë