Aksion i madh policor në Serbi, arrestohen 600 migrantë.     Foto: Reuters 

Pas lajmërimeve për të shtëna mes migrantëve në Horgosh të Serbisë, policia serbe po kërkon terrenin.

Në rrethinën e Horgoshit dhe Suboticës deri tani janë arrestuar më shumë se 600 migrantë të çrregullt, të cilët do të transferohen në qendrat e refugjatëve në jug të Serbisë, shkruan Tanjug.

Policia ka identifikuar dhe arrestuar personat që dyshohen se kanë marrë pjesë në të shtënat e një nate më parë.

Aksioni i Ministrisë së Brendshme po zhvillohet edhe në Beograd, ndërsa policia po largon migrantët nga rrugët dhe sheshet e kryeqytetit.

“Zero tolerancë ndaj të gjithëve që keqpërdorin mikpritjen tonë. Jetët dhe shtëpitë e qytetarëve të Serbisë do të mbrohen”, porositi ministri i brendshëm Bratisllav Gashiq, i cili kishte arritur në terren.

Siç njoftoi ministria e brendshme e Serbisë, policia dhe xhandarmëria serbe mbrëmë filluan me kërkimin e detajuar të terrenit, ndërsa në vendngjarje gjetën 6 migrantë, mes të cilëve njërin rreth moshës 20-vjeçare me dy plagë armësh në gjoks.

TRT Balkan / agjencitë