Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se lidhur me sulmin e mbrëmshëm terrorist në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, ku u dëmtua kanali i ujit të Ibër-Lepencit, ka të arrestuar të cilët do të përballen me fuqinë e ligjit të Republikës së Kosovës.
Kurti këto komente i ka bërë pas vizitës në vendin ku ndodhi sulmi terrorist. Ai ishte i shoqëruar me drejtues të Policisë, AKI-së dhe ministrin e brendshëm Xhelal Sveçla.
“Vetëm duke iu falënderuar punës vetëmohuese të këtyre policëve, punëtorëve, inxhinierëve, ekspertëve, kemi arritur që deri diku ta sanojmë dëmin, ndonëse jemi diku te çereku i prurjeve normale të ujit nëpërmjet kanalit Ibër-Lepenc, i cili e bën edhe ftohjen e termocentraleve në Obiliq, edhe furnizimin me ujë të shumë komunave, përfshirë edhe Prishtinës. Policia po i zhvillon hetimet, ka kryer bastisje, ka edhe arrestime, dëshmi e prova materiale dhe të gjithë këta kriminel e terroristë do të përballën me drejtësinë, me fuqinë e ligjit të drejtë të republikës demokratike e të pavarur të Kosovës”, tha Kurti.