Kosova është vetëm një hap larg anëtarësimit të plotë në Këshillin e Evropës pasi Asambleja Parlamentare e Këshillit votoi këtë të martë “pro” për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Për t’u miratuar nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës duheshin një shumicë prej 2/3 të votave të anëtarëve të pranishëm në mbledhje, ndërsa në këtë seancë “pro” votuan 171 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 të tjerë abstenuan.
Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratuan.
Votimin e sotëm e përshëndeti kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Sipas tij aga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut.
“Asambleja Parlamentare i thotë PO Kosovës. Jemi edhe një hap më afër dhe vetëm një hap larg anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Faza e radhës dhe e fundit që na pret është ministeriali në muajin maj. Meqenëse që nga viti 1951, Komiteti i Ministrave nuk ka marrë vendim ndryshe nga Opinioni i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, besojmë që edhe faza e ardhshme do të përmbyllet me sukses. Megjithatë, puna jonë do të vazhdojë. Nga anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës, fiton demokracia, sundimi i ligjit dhe të drejtat e njeriut. E me Kosovën aty, Këshilli i Evropës fiton një demokraci të re e të gjallë, ku sundon ligji e respektohen të drejtat e njeriut”, ka shkruar kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Pas këtij votimi, çështja kalon në duart e ministrave të Jashtëm të Këshillit të Evropës, të cilët duhet të vendosin përfundimisht nëse Kosova do të bëhet anëtarja më e re e organizatës me seli në Strasburg.
Takimi i radhës i Këshillit të Ministrave do të zhvillohet në mesin e muajit maj të këtij viti.