Agjencia e Statistikave te Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat më të reja, ku pas regjistrimit të fundit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, është bërë edhe publikimi i moshave dhe gjinive mesatare nëpër komunat të Kosovës.
Kryeshefi i ASK-së, Avni Kastrati, tregoi se si agjenci janë të parët në Evropë që publikojnë të dhënat në kohë rekorde.
Janë komunat e Dragashit, Kamenicës, Obiliqit e Shtimes që kanë më shumë meshkuj sesa femra, kurse Gjakova, Peja bashkë me Prishtinën, janë të parat me numër më të madh të gjinisë femërore.
“Ne i kemi nda në tre komponentë kryesorë, komunat me balancë të mirë gjinore, komunat ku dominojnë meshkujt dhe komunat në të cilat dominojnë femrat. I kemi këtu katër komunat Deçanin, Istogun, Rahovecin dhe Junikun me një përqindje dhe strukturë të përafërt mes meshkujve dhe femrave. Në këtë pjesë përqindja më e lartë e meshkujve, që dominojnë meshkujt nëpër komuna....Është Dragashi, Kamenica, Obiliqi, Shtime, Shtërpcë, Vushtrri, Zubin Potok, Zveçan, Lepo Saviq, Mamushë, Hani i Elezit dhe vazhdon diku rreth 20 komuna janë në të cilat dominojnë meshkujt në raport me femrat”, theksoi menaxheri i regjistrimit të popullsisë, Ylli Shala.
Ai shtoi se përqindja më e lartë e femrave, është në Gjakovë, Klinë, Fushë Kosovë, Pejë, Prishtinë, Suharekë dhe Malishevë”.
Sipas ASK-së, në bazë të rezultatave të para përfundimtare, Kosova ka 1 milion e 602 mijë e 515 banorë. Ndërsa, nga rezultatet preliminare të regjistrimit të popullsisë të publikuara pesë muaj më parë, Kosova ka pasur 1.586.659 banorë.