Ministri i Brendshëm Taulant Balla, në analizën vjetore të institucionit që ai drejton, në krye të fjalës vuri në dukje numrin rekord të turistëve që vizituan Shqipërinë përgjatë vitit 2023.
Sipas Ballës, arritja e numrit rekord të mbi 10 milionë shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë përgjatë 12 muajve të vitit 2023 është certifikata e sigurisë publike në vend.
“Lajmi më i bukur i vitit që mbyllëm nuk ishte vetëm shifra 10.155.640 shtetas të huaj që vizituan Shqipërinë, por certifikimi ndërkombëtar i Shqipërisë sonë si një destinacion europian me bukuri natyrore, mikpritje të pakonkurrueshme dhe siguri mbresëlënëse. Sot mund ta themi me kokën lart dhe me krenari se Shqipërisë i është pastruar një herë e mirë imazhi i nxirë nga një e shkuar e rëndë shumëvjeçare”, tha Balla në çelje të fjalës së tij.
Siguria publike gjatë vitit 2023, sipas Ballës, ishte një test i rëndësishëm pasi certifikoi Shqipërinë si një destinacion të sigurt turistik, me zero ngjarje kriminale të qëllimshme ndaj jetës së turistëve të huaj të cilët zgjodhën Shqipërinë për të pushuar.
Po ashtu, siç sqaron Balla, janë goditur 10 raste të trafikimit të mjeteve motorike, 10 më shumë se vitin e shkuar.
“Janë finalizuar 154 operacione për goditjen e dhënies ndihmë emigrantëve, kundrejt pagesave, për kalim të paligjshëm të kufirit shtetëror”, tha Balla.
Ministri i Brendshëm kujtoi ngritjen e Forcës Kombëtare të Sigurisë Publike në Policinë e Shtetit, si një instrument për të forcuar sigurinë gjatë sezonit turistik në vend.
“Ne kur mbyllim një sezon, e kemi bërë zakon që nisim menjëherë përgatitjen për sezonin tjetër. Në këtë drejtim, në sezonin e ri turistik 2024 do të ketë Forcën Kombëtare të Sigurisë Publike si një forcë shtesë për garantimin e sigurisë në destinacionet kryesore turistike”, tha Balla.
Balla shtoi se nga objektet e sekuestruara nga krimi dhe që janë shitur u përfituan në buxhet 10.5 milionë euro.
“Ka filluar arkëtimi i të ardhurave që burojnë nga procesi i ndëshkimit të abuzuesve me ndërtimet pa leje ose jashtë lejeve të ndërtimit. Për 9 objekte do të arkëtohen si të ardhura në buxhetin e shtetit 10.5 milionë euro”, vijoi Balla.