Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell, deklaroi se kanë bërë një propozim për të zgjidhur situatën në Veri, të krijuar pas dorëheqjes së zyrtarëve serbë nga institucionet e Kosovës.
Borrell para takimit të Këshillit të Ministrave të BE-së tha se propozimi i Bashkimit Evropian duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë.
Ai njoftoi se ndonëse ka takuar kryeministrin e Kosovës Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, nuk është ndarë i kënaqur me situatën e krijuar në Veri të Kosovës.
Sipas tij, duhet të dilet nga pikëpamjet e krizës dhe të kërkohet një qasje drejt zgjidhjes.
“Ne kemi paraqitur një propozim, propozim që duhet diskutuar si një rrugëdalje e mirë nga kjo situatë. Më është dashur t'iu bëj thirrje të dyja palëve që të përmbushin zotimet e tyre dhe të respektojnë angazhimet për zbatimin e marrëveshjeve së kaluara për të cilën janë rënë dakord shumë vite më parë dhe unë jam duke kërkuar për një zgjidhje”, tha Borrell.
Punimet e Këshillit të Ministrave do të jenë të shtrira në dy ditë, më 14 dhe 15 nëntor, ndërsa do të diskutohen edhe tema të tjera. Takimi fillon në orën 10:00 dhe mbahet në Bruksel.
Kryeministri Albin Kurti ka përsëritur se nuk do të pranojë asociacion njëetnik në Kosovë, ndërsa tha se zhvillimet e fundit nuk duhet të largojnë vëmendjen nga marrëveshja finale me njohje reciproke.
Ai nuk ka dhënë shenja se mund të tërhiqet edhe nga vendimi për targat, shtyrja e zbatimit të të cilit i është kërkuar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.
Situata në Veri mori një tjetër drejtim pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet kosovare, në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të planit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e makinave me targa RKS të Republikës së Kosovës.