Begaj: Bashkëpunimi mes shqiptarëve, rol unik për stabilitetin e rajonit      / Foto: AA

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në një takim ministren e Drejtësisë së Kosovës, Albulena Haxhiu.

Në një njoftim nga Presidenca e Shqipërisë thuhet se Presidenti Begaj përshëndeti nismat dhe reformat e reja të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, "veçanërisht në fushën e drejtësisë, si dhe përkushtimin për përputhshmërinë me politikat euroatlantike".

“Është një proces i gjatë dhe aspak i lehtë, u shpreh Presidenti i Republikës, duke theksuar se kryerja e reformave në interes të qytetarëve përmbush ëndrrën tonë si komb, atë të integrimit në Bashkimin Evropian”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, theksohet se në takim, Presidenti Begaj shprehu rëndësinë e avancimit të bashkëpunimit, sipas tij, në projektet strategjike të Portit të Durrësit, Portit të Thatë të Prishtinës dhe lidhjen e tyre me hekurudhën Durrës- Prishtinë.

"Kreu i shtetit nënvizoi se bashkëpunimi mes shqiptarëve ka një rol unik për stabilitetin, sigurinë, zhvillimin e qëndrueshëm dhe perspektivën euroatlantike të dy vendeve dhe gjithë rajonit si qëllim strategjik. Presidenti i Shqipërisë rikonfirmoi angazhimin për rritjen e numrit të njohjeve të reja dhe për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë, teksa shtoi se është i rëndësishëm hartimi i strategjive të përbashkëta për të prezantuar reformat e ndërmarra dhe progresin e synuar", theksohet në njoftim.

Më tej, thuhet se Begaj është shprehur se “Shqipëria ka qenë dhe do të jetë gjithmonë aty për Kosovën”, dhe theksoi se Republika e Kosovës është një realitet i pakthyeshëm, "pavarësisht çdo tentative dashakeqe që është e destinuar të dështojë".

Ministrja Haxhiu po zhvillon një vizitë në Shqipëri, ndërkohë gjatë ditës së nesërme pritet të takohet me ministrin e Drejtësisë së Shqipërisë, Ulsi Manja.

TRT Balkan / agjencitë