Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, po zhvillon një vizitë zyrtare në Bullgari, ndërkohë që në konferencën e përbashkët për mediat me presidentin bullgar, Rumen Radev, u fokusuan në çështjet e bashkëpunimit mes dy vendeve, integrimin evropian, bashkëpunimin rajonal dhe çështje të tjera.
Begaj: Procesi i zgjerimit të BE-së duhet të vijojë me vendosmëri
Gjatë fjalës në konferencë, presidenti Begaj, i cili u prit me ceremoni zyrtare nga presidenti Radev, u shpreh se vizita e tij në Bullgari demonstron shumë qartë marrëdhëniet shumë të mira e miqësore mes dy vendeve.
"Viti që po lëmë pas korrespondon edhe me 110-vjetorin e marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, të cilat pavarësisht zhvillimeve të ndryshme gjeopolitike, në thelb kanë pasur ndjenjat e një miqësie reciproke. Nënvizova vullnetin dhe interesin e palës shqiptare për të punuar ngushtë me Bullgarinë, si në aspektin dypalësh, ashtu edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe në atë shumëpalësh", u shpreh Begaj.
Begaj shtoi se, në kuadër të integrimit evropian, vlerëson se me Bullgarinë ndajnë të njëjtën qasje se Ballkani Perëndimor është një investim strategjik për BE-në dhe se procesi i zgjerimit duhet të vijojë me vendosmëri.
Presidenti Begaj u shpreh se integrimi evropian për Shqipërinë është projekti më madhor dhe strategjik.
Radev: Bullgaria mund të ofrojë mbështetje te fortë në integrimin e Shqipërisë në BE
Gjatë konferencës për mediat, presidenti Radev u shpreh se vizita e presidenti Begaj, sipas tij e rëndësishme, është kulmi i dialogut intensiv politik në të gjitha nivelet gjatë këtij viti.
"Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bullgarisë janë në bazë se ne jemi aleatë në NATO. Ne kemi marrëdhënie të miqësisë, të bashkëpunimit të mirë dhe kemi një vizion të përbashkët për zhvillimin e rajonit tonë në bazë të parimeve të përbashkëta evropiane për bashkëpunim rajonal dhe global. Kemi dhe të njëjtat prioritete pulitke si aleatë të NATO-s”, deklaroi Radev.
Gjatë vizitës, presidenti Begaj do të takohet edhe me zyrtarë të tjerë të Bullgarisë.