Begaj: Shqipëria mbështet reformën e Kombeve të Bashkuara.     /Foto: ATA

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, në fjalimin e tij në sesionin e 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, është fokusuar në çështjet e kontributit të Shqipërisë në rajon, dialogun Kosovë-Serbi, reformën e Kombeve të Bashkuara, luftën Rusi-Ukrainë dhe çështje të tjera.

Begaj ka theksuar se si pjesë e Ballkanit Perëndimor, Shqipëria vazhdon të japë kontribut të palëkundur për paqen dhe stabilitetin në rajon. Sipas tij, rindërtimi i besimit dhe rindezja e solidaritetit global është më shumë se kurrë një domosdoshmëri për pajtim, mirëkuptim dhe më shumë bashkëpunim.

"Gjatë gjithë historisë sonë, Shqipëria i është përmbajtur një politike të marrëdhënieve të miqësisë dhe fqinjësisë së mirë. Jemi thellësisht të shqetësuar për krizat e herëpashershme që përsëriten në marrëdhëniet mes fqinjëve. Si Shqipëria, ashtu edhe Kosova kanë mbrojtur vazhdimisht paqen mbi tensionet dhe konfliktet, dhe ne mbetemi të përkushtuar në këtë rrugë", është shprehur Begaj.

Presidenti Begaj tha se Shqipëria mbështet dialogun sipas tij të vështirë, që po vijon midis Kosovës dhe Serbisë të lehtësuar nga "ndërmjetësimi i kujdesshëm i Bashkimit Evropian dhe mbështetja e fortë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës".

Ai shtoi se në të njëjtën kohë Shqipëria mbetet e ndjeshme ndaj integritetit dhe prosperitetit të Kosovës.

Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Begaj u shpreh se "Kjo luftë absurde dhe keqdashëse ka prekur drejtpërdrejt dhe tërthorazi dimensione të ndryshme të zhvillimit të qëndrueshëm, jo vetëm për Ukrainën dhe rajonin, por për gjithë globin".

"Ne përqafojmë me vendosmëri parimet e rendit ndërkombëtar bazuar në rregulla, ku marrëdhëniet midis kombeve bazohen mbi respekt dhe jo mbi pushtet absolut. Ky angazhim është arsyeja përse ne e kemi dënuar vazhdimisht dhe pa mëdyshje agresionin ushtarak kundër Ukrainës dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë gjë", tha Begaj.

Begaj tha se Shqipëria mbështet reformën e Kombeve të Bashkuara dhe organeve të saj kryesore, sipas tij, me synimin për të forcuar aftësinë e organizatës për të trajtuar sfidat dhe kërcënimet aktuale në zhvillim për paqen, sigurinë dhe zhvillimin ndërkombëtar.

Gjatë qëndrimit në New York, Begaj është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, dhe zyrtarë të vendeve të ndryshme.

Presidenti Begaj kryeson delegacionin shtetëror të Republikës së Shqipërisë, në javën e punimeve të Sesionit të 78-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

AA