Komiteti i Trashëgimisë Botërore në konferencën e mbajtur në Kanada, më 8 korrik të vitit 2008, e vlerësoi Beratin si një shembull të rallë të arkitekturës tipike osmane e njëkohësisht dëshmitar i bashkëjetesës së komuniteteve të ndryshme fetare dhe kulturore.
Në raportet e vlerësimit më 8 korrik 2008, UNESCO zyrtarisht u shpreh se, Berati ishte një ndër qytetet e diversitetit të shoqërive urbane në Ballkan, duke vlerësuar më tej edhe mënyrën e jetesës në banesat popullore urbane gjatë periudhës klasike osmane, në vazhdimësi me kulturat mesjetare që i kishin paraprirë.
Më 8 korrik 2008 qyteti i Beratit iu bashkëngjit listës prej 600 vendesh të tjera të trashëgimisë botërore.
Berati, për shkak të objekteve muzeale me vlera të mëdha kombëtare, do të shpallej qytet-muze në vitin 1961. Kështjella, ura me 7 harqe e Goricës, katedralja “Fjetja e Shën Mërisë”, Muzeu Onufri, Epitafi i Gllavenicës, Kodiku i Purpurt i Beratit etj., përbëjnë pasurinë historike të qytetit 2.400-vjeçar.
Vendi ynë aderon që prej vitit 1958 në UNESCO (Organizata për Edukim, Shkencë dhe Kulturë e Kombeve të Bashkuara).