Biografia/Veprimtaria politike e deputetëve shqiptarë në Mal të Zi.  / Foto: TRT BALKAN

Zgjedhjet e fundit parlamentare në Mal të Zi si asnjëherë më parë shkuan në favor të shqiptarëve sa i përket numrit të siguruar të deputetëve.

Për herë të parë shqiptarët do të përfaqësohen me 6 deputetë në Kuvendin Republikan të Malit të Zi, nga gjithesj 81.

Tre prej tyre duke përfaqësuar direkt shqiptarët dhe interesat e tyre nëpërmjet partive nacionale.

Sipas rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve 2 mandate deputetësh siguroi koalicioni “Forumi Shqiptar” i Nik Gjeloshajt dhe një ulëse në Kuvend e mori Genc Nimanbegu me koalicionin “Aleanca Shqiptare”.

Rritje të rëndësishme në këto zgjedhje shënoi “Forumi Shqiptar” që pervec Gjeloshajt, në Kuvend do të çojë edhe Nikollë Camajn.

Pjesë e Kuvendit të Malit të Zi do jenë edhe 3 shqiptarë të tjerë Mehmet Zenka dhe Drita Llolla, por që përfaqësojnë partinë e ish-kryeministrit dhe presidentit Gjukanoviq ndërsa përkrah tyre do të jetë edhe shqiptari tjetër Dritan Abazoviq, koalicioni i të cilit siguroi 11 deputetë.

Parimisht të drejtë për ta formuar qeverinë e re e ka koalicioni i presidentit Milatoviq, i cili mori 23 mandate, por jo mjaftueshëm për të qeverisur të vetëm, prandaj i duhet ndihma e partive të tjera, dhe pa dyshim e shqiptarëve.

Nga ana tjetër, shqiptarët veçse janë deklaruar se do të mbështesin çdo qeveri me synime europiane dhe do të jenë opozitë e fortë për ata që e mendojnë Malin e Zi prorus.

Në vazhdim TRT Balkan ju njofton lidhur me biografinë dhe veprimtarinë politike të deputetëve të posazgjedhur në Kuvendin Republikan të Malit të Zi.

Dritan Abazoviq ish-kryeministri i parë shqiptar në Mal të Zi

Dritan Abazoviq është njëri nga shqiptarët më të zëshëm në skenën politike në Mal të Zi. Ai është kryetar i grupit politik URA, e cila është kryesisht e përbërë nga joshqiptarët.

Para se të kalojmë në fillet e tij, të kujtojmë se Dritan Abazoviq është kryeministri i fundit i Malit të Zi që nga 28 prilli i vitit 2022.

Ai lindi në vitin 1985 në Ulqin në një familje shqiptare. Pasi kishte mbaruar shkollën fillore dhe të mesme në Ulqin, Abazoviq u diplomua në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Sarajevës. Po në Sarajevë, ai përfundoi doktoraturën në 2019, në Fakultetin e Shkencave Politike.

Që nga viti 2010, ai ka punuar si mësues i shkollës së mesme në Ulqin, duke dhënë mësim sociologjinë e Kulturës, Komunikimit dhe historinë e fesë.

Në vitin 2011, ai jetoi në Shtetet e Bashkuara ndërsa mori pjesë në programin e Departamentit të Shtetit në Washington D.C.

Ai flet rrjedhshëm gjuhën malazeze, angleze dhe shqipe. Më 2017, ai ka nënshkruar Deklaratën për gjuhën e përbashkët të malazezëve, kroatëve, serbëve dhe boshnjakëve.

Abazoviq ishte një nga themeluesit e partisë politike ‘Mali i Zi Pozitiv‘ në 2012.

Në zgjedhjet parlamentare të Malit të Zi 2012, partia fitoi 7 nga 81 vende, duke e bërë Abazoviqin anëtarin më të ri të Parlamentit të Malit të Zi.

Më 2014, pas një përçarje në parti, Abazoviq u largua nga ‚Mali i Zi Pozitiv‘, duke shërbyer si një deputet i pavarur përpara se të bashkohej me Aksionin e Reformës së Bashkuar (URA) të themeluar në 2015.

Ai aktualisht është kryetar i URA dhe një nga 11 përfaqësuesit e saj parlamentar.

Nik Gjeloshaj, kryetar aktual i Tuzit

Nik Gjeloshaj i lindur më 12 nëntor 1979 është një politikan shqiptar nga Mali i Zi i cili drejton partinë Alternativën Shqiptare.

Që nga 23 marsi i vitit 2019 Gjeloshaj është kryetar i Komunës së Tuzit.

Në zgjedhjet parlamentare në Mali të Zi të vitit 2020, Gjeloshaj ishte bartësi i Listës Shqiptare, një koalicion politik i pakicës shqiptare, i formuar nga Forca e Re Demokratike (FORCA), Alternativa Shqiptare (ASh), Unioni i Tuzit (UT) dhe Iniciativa qytetare Perspektiva (IQP) dhe Lidhja Demokratike e Shqiptarëve (LDSh). Ky koalicioni i fitoi 1.58% të votave dhe fitoi një mandat të vetëm në Parlamentin e Malit të Zi.

Duke qenë se i njëjti veçmë ishte në pozitën e kryetarit të komunës së Tuzit, dhe nuk mund të mbante dy funksione politike, Gjeloshaj vendosi të përkushtohet duke dhënë kontribut popullit dhe vendit të tij si kryetar komune.

Nikollë Camaj për herë të parë deputet

Nikollë Camaj është kryetar i partisë Lidhja Demokratike Shqiptare në Mal të Zi.

Në koalicion të përbashkët me Nik Gjeloshaj nën platformën “Forumi Shqiptar”, Nikollë Camaj arriti të sigurojë një vend deputeti në Kuvend.

Nikollë Camaj është aktiv në skenën politike shqiptare, në Malin e Zi, në mbi tri dekada.

Ai ishte sekretari i parë i subjektit të parë politik shqiptar, i Lidhjes Demokratike, parti kjo e formuar me 9 shtator të vitit 1990.

Nikollë Camaj është shumëdimensional në jetën dhe veprimtarinë e tij të gjithanshme: përveçse politikan, është i mirënjohur edhe si profesor letërsie; një mësimdhënës përmbi dy dekada në gjimnazin e Tuzit, duke pritë e përcjellë shumë gjenerata gjimnazistësh.

Genc Nimanbegu ish nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi

Genci Nimanbegu lindi më 6 shtator 1971 në Ulqin të Malit të Zi.

Shkollën fillore dhe të mesme e kreu në Ulqin, ndësa arsimin e lartë e filloi në Fakultetin Ekonomik në Dubrovnik, por për shkak të luftës në ish-Jugosllavi, e vazhdoi në Fakultetin Ekonomik në Podgoricë, ku dhe diplomoi.

Sa i përket veprimtarisë së tij politike Nimanbegu me një grup intelektualësh dhe patriotësh shqiptarë nga Ulqini, në vitin 2005, mori pjesë në krijimin e partisë shqiptare Forca e Re Demokratike (Forca) dhe u zgjodh nënkryetar i saj. Më 30 tetor 2021, zgjidhet kryetar i partisë Forca.

Nimanbegu është deputet në Kuvendin e Malit të Zi që nga viti 2009.

Në vitet 2016–2020, ishte nënkryetar i Kuvendit të Malit të Zi. Ai u zgjodh kryetar i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi në vitin 2013, detyrë që e mbajti deri në vitin 2018.

Nimanbegu do të jetë edhe një mandat si deputet i pasi ka siguruar një ulëse në Kuvendin e Malit të Zi me koalicionin “Aleanca Shqiptare”.

Mehmet Zenka, ish-ministër i Malit të Zi

Mehmet Zenka është kryetar i Unionit Demokratik të Shqiptarëve.

Për herë të parë Zenka u zgjodh si deputet në vitin 2009 dhe qëndroi deri në vitin 2012.

Veprimtaria e tij politike vazhdoi duke qenë pjesë e një koalicioni qeveritar prej 5 partish në krye me Millan Gjukanoviqin në periudhën e vitit 2016-2020, si ministër për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritetet në kabinetin e Malit të Zi.

Për Mehmet Zenkën ky do të jetë mandati i dytë si deputet në Kuvenin e Malit të Zi, po ashtu si pjesë e koalicionit me ish-kryeministrin dhe ish presidentin Millan Gjukanoviq.

Drita Llolla deputetja e vetme shqiptare në Mal të Zi

E lindur në Ulqin, Llolla ka studiuar për farmaci në Tiranë dhe ka jetuar për 10 vjet në Shqipëri.

U zgjodh kryetare e Aleancës së Grave të Partisë Demokratike të Socialistëve në nëntor 2021 dhe që atëherë drejton organizatën më të madhe politike të grave në Mal të Zi. Deri më sot, Aleanca e Grave ka mbledhur mbi 1,500 gra aktive politikisht nëpërmjet një strukture të përbërë nga këshilli qendror, kryesia dhe 24 organizata/këshilla komunal në gjithë Malin e Zi.

Para angazhimit të saj politik, ka qenë aktive në sektorin civil dhe njihet për krijim e platformës “Seanema – art for social change” qëllimi i së cilës është promovimi i vlerave evropiane në mesin e të rinjve të Malit të Zi dhe rajonit.

Drita ka kryer dy studime master, në fushën e farmacisë në Universitetin e Mjekësisë së Tiranës, si dhe në fushën e studimeve të shkencës dhe teknologjisë në Universitetin e Edinburgut në Skoci. Ka ndjekur programe të shumta arsimore, përfshirë programin intensiv në fushën e së drejtës dhe ekonomisë evropiane në Fakultetin Juridik në Riga.

Drita është alumniste e programit të Departamentit Amerikan të Shtetit, bursiste e programit Chevening e Qeverisë së Mbretërisë së Bashkuar, si dhe alumniste e programit EUVP të Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian.

TRT Balkan