Parlamenti i Malit të Zi sot miratoi propozimin e Ligjit për Konfirmimin e Marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe asaj të Shqipërisë për ndërtimin e urës mbi lumin Buna.
Këtë e ka konfirmuar zëvendëskryeministri shqiptar në qeverinë e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj.
“Sot Parlamenti i Malit të Zi ka aprovuar ligjin e miratuar nga Qeveria për realizimin e projektit të urës së Bunës.
Dëshiroj të theksoj se ky është një nga projektet kapitale kryesore, realizimi i të cilit ka qenë një nga kërkesat kryesore të Forumit Shqiptar për hyrjen në Qeverinë e 44-të të Malit të Zi!
Ky është vetëm fillimi i realizimit të projekteve të shumta që pritën të inicohen nga ne.
Parimi ynë nuk ndryshon, ne e mbajmë fjalën e dhënë - besën për zhvillim europian!”, ka shkruar Gjeloshaj në rrjete sociale.
Ura do të jetë e gjatë rreth 310 metra dhe e gjerë 17 metra, si dhe do të përfshijë trotuare dhe shtigje për biçikleta.
Projekti ishte prezantuar nga Rama dhe Abazoviq, gjatë një takimi të mbajtur në Ohër në kuadër të iniciativës “Ballkani i Hapur”, në qershor të vitit 2022.