Që nga periudha e pasluftës e vitit 1999, mesatarisht çdo 4 kilometër është bërë një gërmim nga ekspertë vendorë e ndërkombëtarë në territorin e Kosovës, në kërkim të personave të zhdukur nga lufta.
Kështu u tha gjatë një konference të mbajtur nga anëtarë të Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, ku u prezantua një raport përmbledhës i punës së këtij komisioni gjatë vitit 2022.
Kryetari i këtij komisioni, Andin Hoti, tha se gjatë vitit 2022 gjithsej 24 lokacione janë gërmuar në territorin e Kosovës, rreth 17 individëve u janë gjetur mbetjet mortore, ndërsa deri më tani që nga periudha e pasluftës janë gërmuar 2.724 lokacione.
Hoti përmendi si sfidë kryesore të gjetjes së mbetjeve mortore mosshkëmbimin e të dhënave nga ana e Serbisë, ngase në Kosovë tashmë çdo katër kilometër është bërë nga një gërmim dhe pritshmëritë për të gjetur mbetje mortore të luftës janë shumë të vogla.
Ai tha se gjatë vitit 2022 janë mbajtur mbi 17 takime rajonale dhe bilaterale në mes të palës kosovare dhe vendeve të Ballkanit, përfshirë edhe takime me palën serbe, por jo edhe takime të komisioneve qeveritare për persona të zhdukur Kosovë-Serbi.
"Të vetmet takime që nuk po mbahen janë takimet e grupit punues në mes meje dhe në mes të Odaloviq në Serbi, për shkak se Serbia ende tash e një vit e gjysmë që kur unë jam në këtë komision nuk ka reflektuar, nuk ka marrë detyrën e saj jo vetëm ta shkarkojë, por as ta hetojë (Veljko) Odaloviqin për dyshimet që kryeministri kosovar i ka plasuar në media për të, i cili dyshohet për krime lufte në Kosovë. Prandaj, ne e konsiderojmë jo të denjë që ai të përfaqësojë ose të jetë homologu im nga Serbia", theksoi Hoti.
Hoti shtoi se gjatë vitit 2022 në territorin e Serbisë është gërmuar me qëllim të gjetjes së mbetjeve mortore vetëm në një lokacion, në Shtavalj, për të cilin gërmim tha se është mbyllur në mënyrë të njëanshme "sepse ka përfunduar në kohë të shkurtër dhe informacionet tona kanë qenë të mangëta".
Kushtrim Gara, po ashtu nga Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, tha se shqetësuese për punën e këtij komisioni dhe punën e zbardhjes së fatit të të zhdukurve mbetet qasja e autoriteteve serbe ose politizimi i kësaj çështjeje nga pala serbe.
Mungesa e informacioneve të besueshme, po ashtu, sipas Garës, mbetet nga sfidat kryesore.
"Mungesa e gatishmërisë për bashkëpunim nga pala serbe,ë nënkupton mungesën e gatishmërisë së tyre për të vënë në dispozicion të këtij procesi të dhëna nga arkivat e tyre, në mënyrë të veçantë arkivat e ish-ushtrisë jugosllave dhe arkivat e ish-policisë serbe, pra po flasim për të dhëna nga koha e luftës", theksoi Gara.
Ai tha se një marrëveshje e re në Bruksel midis Kosovës dhe Serbisë, e cila do të mund të sillte një presion më të madh ndaj palës serbe për të qenë më bashkëpunuese do të sillte rezultate më të mëdha për këtë proces.
Që nga lufta e vitit 1998-99 në Kosovë, ende nuk dihet fati i 1.617 personave të zhdukur nga ajo periudhë.