Në Tiranë është mbajtur aktiviteti për ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit e Shkollës Rinore Ballkanike 2024, shkollë e organizuar nga Shoqata e të Diplomuarve në Türkiye e Shqipërisë (TUMED), në bashkëpunim me Kryesinë e Turqve Jashtë Vendit dhe Komuniteteve Mike (YTB).
Të pranishëm në aktivitetin e organizuar në ambientet e një hoteli ishin ambasadori turk në Tiranë Tayyar Kağan Atay, drejtori i zyrës së Fondacionit Turk Maarif në Shqipëri Mesut Özbaysar, këshilltari për Çështjet e Arsimit pranë Ambasadës së Türkiyes në Tiranë Metin Bulut, kryetari i Shoqatës së të Diplomuarve në Türkiye të Shqipërisë (TUMED) Egert Haxhiu, kryetari i MÜSİAD Albania Muhammet İşler, përfaqësues të organizatave, studiues, pedagogë dhe studentë.
Në fjalën e tij në aktivitet, ambasadori Atay u shpreh se qëllimi i shkollës rinore ishte që pjesëmarrësit të merrnin informacione sa më të dobishme, si edhe ta njihnin nga afër Türkiyen dhe lidhjet mes dy vendeve.
"Vendet tona kanë një të kaluar (të përbashkët) shumë të gjatë prej qindra vitesh. Do të ecim dorë për dore sepse gjatë gjithë historisë dy vendet kanë qenë në bashkëpunim të plotë me njëri-tjetrin. Do të ecim dorë për dore si dy familje të mëdha. Kemi dhe një ndërthurje edhe në aspektin sociologjik si dy shtete dhe këto janë të natyrshme dhe nuk ka askush që mund ta ndërpresë marrëdhënien mes dy shteteve", tha Atay.
Ai shtoi se në ditë të mira ashtu dhe në ditë të vështira Türkiye do të jetë pranë shtetit shqiptar dhe shtoi se punojnë pafund që nga vitet 90-të që Shqipëria të jetë ndër vendet më të zhvilluara.
Duke folur edhe për procesin e integrimit në BE të Shqipërisë, ambasadori Atay shprehu falënderime për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Kryetari i TUMED-it, Egert Haxhiu, në hapje të aktivitetit u shpreh se ky organizim domethënës jo vetëm që kontribuon në zhvillimin e të rinjve, por gjithashtu sipas tij përfaqëson një nga shembujt më të bukur të vëllazërisë dhe solidaritetit në rajonin e Ballkanit.
"Projekti ynë synon të ndërtojë ura të forta për një të ardhme të përbashkët, duke bashkuar kultura dhe ide të reja. Të rinjtë tanë këtu jo vetëm që kanë zhvilluar njohuritë dhe aftësitë e tyre, por kanë forcuar gjithashtu ndjenjat e miqësisë dhe vëllazërisë. Sot, ndërsa i kurorëzojmë përpjekjet e tyre me ndarjen e certifikatave, ndiejmë si detyrë të falënderojmë të gjithë ata që kontribuuan", tha Haxhiu.
Shkolla Rinore Ballkanike 2024 që u organizua gjatë verës ka zgjatur 6 javë dhe në seminaret e saj morën pjesë dhjetëra të rinj që studiojnë në degë të ndryshme në Shqipëri, ndërsa kishte në fokus tema të ndryshme.