Nënshkruhet marrëveshja Shqipëri-EBA-Itali në fushën e energjisë / Photo: AA

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po qëndron për vizitë në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të pjesëmarrjes në eventet e Javës së Qëndrueshmërisë së Abu Dhabit 2025 (Abu Dhabi Sustainability Week-ADSW).

Gjatë vizitës, Shqipëria, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Italia kanë nënshkruar marrëveshje për investimin në lidhjen nënujore të rrjetit të shpërndarjes së energjisë me Italinë në Detin Adriatik, si dhe për investimet në rritjen e prodhimit nga burimet e rinovueshme në Shqipëri.

Në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes në Abu Dhabi ishin të pranishëm kryeministri Rama, kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheikh Mohamed bin Zayed Al-Nahyan, si dhe përfaqësues të qeverive të vendeve përkatëse.

Sipas Qeverisë së Shqipërisë, marrëveshja bashkon vendet në një aleancë strategjike për energjinë e rinovueshme.

Sot, Rama iu adresua samitit global të zhvilluar me pjesëmarrjen e krerëve të shteteve dhe liderëve botërorë, politikbërësve të lartë dhe specialistëve të industrisë, ku theksoi se falë Emirateve të Bashkuara Arabe dhe, sipas tij, dijes së shkëlqyer që ka për këtë çështje, po diversifikojnë dhe po transformojmë sektorin energjetik shqiptar.

"Partneriteti i Shqipërisë me Emiratet e Bashkuara Arabe në sektorin energjetik është shumë i rëndësishëm për një rajon ku ka shumë luftëra, shumë konflikte, gjakderdhje. Shumë keqkuptime i kanë dhënë formë tashmë të shkuarës sonë dhe ku bashkëpunimi dhe dëshira e përbashkët për të qenë pjesë e familjes së madhe evropiane duhet mbështetur në nisma konkrete dhe me hapa konkrete për të kapërcyer të shkuarën", tha Rama.

Marrëveshjen mes Shqipërisë, Italisë dhe Emirateve të Bashkuara Arabe, Rama e konsideroi një marrëveshje mjaft të rëndësishme strategjike dhe si një instrument shumë i rëndësishëm, jo vetëm për transmetimin e energjisë së përtëritshme nga Shqipëria në Itali, por sipas tij për të rritur kapacitetin e Shqipërisë si një lojtar kyç në rajon, mbështetur në prodhimin e saj me 100 për qind energji të ripërtëritshme.

ADSW-ja është një platformë globale, e mbështetur nga Emiratet e Bashkuara Arabe për të adresuar sfidat më emergjente të qëndrueshmërisë në botë përmes diskutimeve të përbashkëta mes vendeve.

AA