Në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, nesër do të zhvillohen zgjedhjet e parakohshme lokale. Veçori e këtyre zgjedhjeve është bojkotimi nga Lista Serbe. Por, kjo nuk është arsye që zgjedhjet të mos zhvillohen. Lëvizja Vetëvendosje dhe Partia Demokratike e Kosovës kanë dalë me kandidatët e tyre për pozitat e kryetarëve të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Zubin Potokut, Zveçanit dhe Leposaviqit.
Kandidatë të tjerë që janë verifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i Kosovës janë Betim Osmani nga Iniciativa Qytetare (Mitrovicë e Veriut), Aleksandar Jabllanoviq nga Partia e Serbëve të Kosovës (Leposaviq), Sllagjana Pantoviq si kandidate e pavarur (Zveçan),
Në vazhdim, TRT Balkan ju sjell disa fakte për rrjedhën e deritanishme dhe arsyen e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme lokale.
Serbët braktisën institucionet e Kosovës
Në fillim të muajt nëntor të vitit 2022 përfaqësuesit e serbëve në institucione e Kosovës, duke filluar nga gjyqësori, policia dhe pushtetit lokal dhanë dorëheqje si revoltë për vendimin e Qeverisë së Kosovës për riregjistrimin e makinave me targa ilegale serbe, në targat RKS – Republika e Kosovës.
Ky vendim i komunitetit serb, sidomos i Listës Serbe, hapi rrugën për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale në katër komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Prolongimi i zgjedhjeve të jashtëzakonshme në veri
Të ballafaquar me një situatë të tillë institucionet e Kosovës, në këtë rast presidentja Vjosa Osmani, disa ditë pasi serbët braktisën institucionet e vendit caktoi 18 dhe 25 dhjetorin e vitit 2022 si data të mbajtjes së zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetarë dhe anëtarë të këshilleve të komunave në veri.
Megjithatë, ky proces zgjedhor nuk u zhvillua. Disa ditë para zhvillimit të zgjedhjeve të parakoshme, presidentja Osmani, njoftoi se pengesat ndaj zyrtarëve të KQZ-së, sulmet ndaj policisë dhe mediave janë ndër arsyet sepse zgjedhjet e caktuar në dhjetor nuk u zhvilluan.
Bojkoti i Listës Serbe
Subjekti politik më i madh i Serbëve në Kosovë, edhe përkundër prolongimit të zgjedhjeve të jashtëzakonshme lokale në veri të Kosovës, njoftoi se nuk do jetë pjesë e procesit zgjedhor më 23 prill.
Duke e arsyetuar këtë vendim, ata theksuan nuk janë përmbushur kërkesat që e shtynë këtë forcë politike të largohet nga institucionet e Kosovës. Në mesin e kërkesave kryesore të tyre është formimimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Sipas tyre Prishtina dhe Komisioni i Qendror i Zgjedhjeve po përpiqen që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës, kundër vullnetit të qytetarëve, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb.