Ç’thonë shpëtimtarët e Maqedonisë së Veriut për përjetimet në Türkiye?   / Foto: AA

Tërmetet shkatërruese të 6 shkurtit në Türkiye ishin një sprovë solidariteti thuajse për gjithë botën. Si shumica e shteteve të tjera, edhe Maqedonia e Veriut kishte një ekip nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim që u angazhuan në operacionet e kërkim-shpëtimit për rreth 10 ditë.

Me t'u kthyer në Maqedoni, ekipet e kërkim-shpëtimit në krye me Zv/drejtorin e Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Maqedonisë së Veriut, Zulfikar Zeynula, rrëfyen përjetimet e tyre në terren në qytetin Adıyaman.

Zeynulla tha se në drejtim të bisedimeve të bëra me Ambasadën e Türkiyes në Shkup, një ekip i përbërë prej 38 personash së bashku me 13 automjete të pajisura plotësisht janë nisur drejt Türkiyes, ku së pari shkuan në Adana e prej ku kanë kaluar në Adıyaman për të kryer punimet e kërkim-shpëtimit.

Zulfikar Zeynula, Zv/drejtor i Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim të Maqedonisë së Veriut AA

Zeynulla tha se punimet që i kanë filluar në Adıyaman në orët e vona të mbrëmjes i kanë vazhduar pa ndalur deri në mbrëmjen e ditës së nesërme.

"Kur shkuam atje, u njoftova me një xhaxha që e ka humbur gjithë familjen. Xhaxhai duke përvjelë mangët për të bërë çorbë për të mbijetuarit ishte lidhur fuqishëm me jetën sikur nuk ka ndodhur asgjë dhe përpiqej t'u ndihmonte të mbijetuarve. Atë durim, atë pamje nuk mund ta harroj asnjëherë. Kjo, ashtu siç thashë në fillim, besoj përzemërsisht se ne këto ditë do t'i tejkalojmë së bashku me durimin tonë", tha ai.

Një ndër momentet më emocionuese për atë ishte kur kanë arritur deri te fëmijët e një personi që kishte humbur nënën, babain, bashkëshorten dhe dy vajzat, ndërsa e cilësoi si mrekulli suksesin kur kanë shpëtuar një 38-vjeçar nga rrënojat pas 115 orëve.

Qëndrimi i familjarëve, miqve të viktimave me ne, momenti më i vështirë

Nga ana tjetër, udhëheqësi i ekipit, Ivica Naumovski, është shprehur se detyra e parë e tyre në Adıyaman ka qenë të kryejnë punime kërkim-shpëtimi në një ndërtesë 9-katëshe.

Ivica Naumovski, udhëheqësi i ekipit për kërkim-shpëtim. AA

Ai thekson se në 15 minutat e para kanë arritur deri te kufomat e 3 personave ku gjithsej ka pasur 66.

Duke folur rreth një personi që kanë shpëtuar gjatë punimeve të tyre në terren, Naumovski u shpreh: "Për gëzimin tonë më të madh ose gjatë gjithë këtij pikëllimi arritëm të gjenim një grua, diku rreth 40-vjeçe, e cila ishte ende gjallë nën rrënoja, duke kërkuar ndihmë nga ne. Kontaktuam në turqishte, sepse me vete kishim përkthyes profesionistë që flisnin turqisht. Përkthyesi ishte me të gjatë gjithë kohës. Ne kërkuam ndihmë nga AFAD-i për një ambulancë, për ta stabilizuar fillimisht jetën e saj dhe për të vazhduar më pas me nxjerrjen e saj të sigurt. Procesi zgjati diku rreth 8 orë".

Ai tregoi se pasi është shpëtuar, gruaja është dërguar në spital me autoambulancë për trajtim të mëtejshëm.

"Fatkeqësisht, ne larguam 65 persona të vdekur nga i njëjti objekt, të cilët të gjithë iu dorëzuan autoriteteve në Adıyaman", shtoi ai.

Naumovski, mes të tjerash, potencoi se janë një shtet i vogël, se kapaciteti i tyre është kaq dhe se si institucion kanë dërguar fillimisht 38 persona e më pas 30 duke e rritur numrin e ekipit në 68.

"Mendimet tona janë gjithmonë me popullin vëlla turk në Republikën e Türkiyes. Që nga pavarësia jonë në vitin 1991, Türkiye na ka mbështetur në çdo hap që kemi ndërmarrë që të ngrihemi si shtet. Kjo është një pjesë e vogël që ne si Republikë e Maqedonisë së Veriut ose Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim mund ta bëjmë për Republikën e Türkiyes", tha Naumovski.

Ai i cilësoi familjet, të afërmit dhe miqtë e atyre që ishin nën rrënojat për të qenë gjatë gjithë kohës me ta dhe thirrjet e tyre për të afërmit e tyre nën rrënoja, si momentin më të vështirë.

Sipas tij, një moment tjetër emocionues për ta ishte gjetja e materialeve të mësimit që fëmijët kanë përgatitur për në shkollë ose shënimet e grave për lindje.

TRT Balkan / agjencitë