Dialogu, Kurti e Vuçiq takohen në fund të muajit / Foto: Zyra e Kryeministrit të Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 27 shkurt në Bruksel për të vazhduar dialogun për normalizimin e marrëdhënieve mes dy palëve.

Këtë e konfirmoi sot Shërbimi për Punë të Jashtme i BE-së, EEAS, nëpërmjet një komunikate për media.

Kurti dhe Vuçiq do të kenë takime të ndara me Përfaqësuesin e Lartë të BE-së për Politikë të jashtme, Josep Borrell, dhe Përfaqësuesin Special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak. Më pas, do të vijojë takimi i përbashkët.

“Takimi do të fokusohet tek propozimi i Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në njoftimin e BE-së.

Bashkimi Evropian ka propozuar një draft marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë në gjysmën e dytë të vitit të kaluar. Kosova thotë se propozimi, i njohur në opinion si propozimi “franko-gjerman”, është bazë e mirë për marrëveshje përfundimtare. Serbia, nga ana tjetër, kërkon formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë, përpara se të flitet për çfarëdo marrëveshje tjetër. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka paraqitur 6 kushte që duhet plotësuar përpara se të formohet Asociacioni.

TRT Balkan