Erdoğan thirrje biznesmenëve turq të investojnë në BeH     Foto: AA

Presidenti i Türkiye-s, Recep Tayyip Erdoğan, u bëri thirrje investitorëve turq në Forumin e sotëm të Biznesit Bosnjë e Hercegovinë - Türkiye në Sarajevë që të kontribuojnë në zhvillimin e këtij vendi duke intensifikuar investimet në BeH. Në forumin e biznesit të organizuar nga Këshilli i Bashkëpunimit të Biznesit Türkiye-BeH (DEIK) dhe Dhoma e Tregtisë së Jashtme të BeH, Erdoğan kujtoi marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe midis dy vendeve në një kohë kur ata po shënojnë 30 vjet nga vendosja e marrëdhënieve diplomatike. Lidhjet ekonomike, siç tha Erdoğan, përveç që kontribuojnë në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet vendeve, kontribuojnë edhe në forcimin e stabilitetit dhe mirëqenies në rajon. Duke falënderuar DEIK-un për pjesëmarrjen në organizimin e forumit, Erdoğan theksoi se Türkiye gjithmonë i ka kushtuar vëmendje të veçantë marrëdhënieve me Bosnjë-Hercegovinën. "Politika jonë ndaj Bosnje-Hercegovinës ka qenë gjithmonë e ndershme, unifikuese dhe objektive. Në këtë hapësirë ​​që bashkon diversitetin, ndarjet etnike dhe fetare nuk mund të sjellin asgjë përveç dhimbjes dhe lotëve", tha Erdoğan. Presidenti turk tha se “ngjarjet në shumë pjesë të botës kanë treguar se konfliktet nuk i sjellin askujt asgjë të mirë”. Erdoğan tha se në periudhën e ardhshme, që sjell edhe zgjedhje, është e nevojshme të qëndrojmë larg retorikës së ndarjes, sepse është e rëndësishme për ekonominë dhe stabilitetin e brendshëm të Bosnje-Hercegovinës. Presidenti i Türkiye-s përsëriti se vendi i tij mbështet integritetin territorial, stabilitetin politik dhe sovranitetin e Bosnjë-Hercegovinës.

Njëashtu Erdoğan shprehu kënaqësinë e tij për rritjen e vëllimit të tregtisë mes dy vendeve, por gjithashtu theksoi se ka hapësirë ​​për përmirësimin e marrëdhënieve në këtë fushë. Ai përkujtoi se vëllimi i tregtisë në tetë muajt e parë të këtij viti krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar është rritur për 15 për qind dhe ka arritur në 627 milionë dollarë. Presidenti turk kujtoi se në takimet e sotme u diskutua mënyra për të dinamizuar ndërtimin e autostradës Sarajevë-Beograd, duke thënë se është një projekt paqeje që bashkon jo vetëm vendet, por edhe njerëzit e rajonit. Presidenti i Türkiye-s gjithashtu kujtoi se investimet turke, duke përfshirë projektet e ndihmës për Bosnje dhe Hercegovinën, arrijnë në një miliard dollarë. Erdoğan përsëriti mbështetjen e tij për Bosnjë dhe Hercegovinën në të gjitha fushat. “Unë theksoj se ne do të jemi gjithmonë me Bosnjë dhe Hercegovinën në të gjitha fushat”, tha Erdogan. Presidenti turk më herët gjatë ditës së sotme ka zhvilluar një takim edhe me anëtarët e Presidencës së BeH-së dhe në kuadër të turneut të tij rajonal do të vizitojë Serbinë dhe Kroacinë.

AA