Këshilli Atlantik - Qendra në Evropë së bashku me Qendrën në Türkiye kanë mbajtur një konferencë në Prishtinë ku është shpalosur raporti “Kthimi në binarë: Zhbllokimi i perspektivës euroatlantike dhe zhvillimore i Kosovës”.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti në fjalën e tij para të pranishmëve tha se në pranverë të vitit 1999 gjithsej 19 shtete u bënë bashkë për ta bombarduar një shtet joevropian, Serbinë dhe regjimin e Milosheviqit.
Ai tha se Kosova është një storje e suksesit për shkak të ndërhyrjes së NATO-s dhe të arriturave të saj, por shtoi se Serbia nuk ka ndryshuar dhe ende është me mentalitetin e vitit 1999.
“Serbia nuk ka ndryshuar as nuk është demokratizuar, prandaj kërkohet normalizim. Normalizimi i Kosovës dhe Serbisë kërkon normalizimin e Serbisë karshi vlerave evropiane”, theksoi Kurti.
Kurti tutje tha se Kosova tashmë ka aplikuar për t’u bërë anëtare në BE, por testi i parë është që pesë vendet mosnjohëse të pavarësisë së Kosovës ta bëjnë një gjë të tillë.
Kryetarja e “Limak Group”, Ebru Özdemir, theksoi se për shumë vjet me radhë Këshilli Atlantik në Türkiye dhe Limak kanë punuar bashkërisht në shumë projekte.
Ajo tha se e ardhmja e Kosovës është e ndritshme, megjithëse në rrugën e saj përpara ka sfida, por ka dhe besim në potencialin qytetar për t’ia dalë mbanë.
“Ne udhëheqim Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës tash e 12 vjet dhe gjithashtu kompaninë KEDS, derisa mundohemi të kontribuojmë edhe në inspirimin e njerëzve, veçanërisht të rinjve, me edukimin e tyre. Jemi të përkushtuar për të kontribuar në Kosovë, në ekonominë e saj dhe në shoqërinë e saj”, theksoi Özdemir.
Duke folur për raportin e prezantuar, Özdemir, tha se ai vjen në një moment kyç për Kosovën si një hartë që çon Kosovën drejtë një të ardhme më stabile, prosperuese dhe me zhvillim më të qëndrueshëm.
Në raportin e publikuar në këtë ngjarje, me autor Agon Maliqin, i cili është analist i politikave, u bë e ditur se, përkundër të gjitha sfidave me të cilat përballet, Kosova ka dëshmuar se shquhet si një rast relativisht i suksesshëm i shtetndërtimit të mbështetur nga Perëndimi.
Raporti, ndër të tjerash, vë në pah se “suksesi i ardhshëm i Kosovës do të varet nëse elitat e saj politike mund të përfitojnë nga mundësitë e mjedisit të ri gjeopolitik për të zgjidhur çështjen e mprehtë të marrëdhënieve me Serbinë. Fakti është se Kosova po humbet shumë mundësi – sa i përket integrimit të saj në strukturat euroatlantike, zhvillimit ekonomik dhe stabilitetit politik të brendshëm - për shkak të mosmarrëveshjes së saj të gjatë me Serbinë”