Erdoğan uron Vjosa Osmanin në përvjetorin e pavarësisë së Kosovës                   Foto: AA

Presidenti i Türkiyes, Recep Tayyip Erdoğan, ka uruar presidenten Vjosa Osmani me rastin e 17-vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.

Siç njofton Zyra e Presidentes, në mesazhin e tij, Erdoğan i ka shprehur Osmanit dhe popullit të Kosovës urimet më të përzemërta në emrin e tij dhe të kombit turk, duke ritheksuar lidhjet historike, njerëzore dhe kulturore ndërmjet dy vendeve.

Erdoğan ka nënvizuar mbështetjen e palëkundur të Türkiyes për sovranitetin, integritetin territorial dhe përpjekjet e Kosovës për afirmimin e saj në arenën ndërkombëtare, duke rikujtuar rolin e shtetit të tij, si një nga vendet e para që njohu pavarësinë e Kosovës.

Tutje, Erdoğan ka theksuar vullnetin e përbashkët për forcimin dhe zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat me interes të ndërsjellë.

TRT Balkan / agjencitë