Rikthimi i barrikadave dhe tensioneve në veri të Kosovës, si dhe sulmi i fundit ndaj një patrulle të EULEX-it nga pala serbe me shok-bombë mendohet të jenë arsyet për përforcimin e këtij misioni ndërkombëtar.
Kryediplomati i BE-së, Josep Borrell, në paraqitjen e fundit për media, tha se kjo situatë duhet të marrë fund, barrikadat të hiqen dhe të rikthehet qetësia.
“Kërkoj nga shtetet anëtare të dërgojnë përforcime shtesë për misionin tonë të EULEX-it, dhe shumë prej tyre ranë dakord, dhe ata janë të gatshëm të dërgojnë më shumë kapacitete, mbështetje më efektive, dhe më shumë njerëz në këtë mision nëse është e nevojshme”, tha Borrell.
Më tetë nëntor Njësia Policore e Specializuar Rezervë (NjPSR) e përbërë nga 23 xhandarë nga Karabinierët italianë dhe anëtarë të Forcës së Xhandarmërisë Evropiane (EUROGENDFOR), u zbarkua përkohësisht në Kosovë për t’i përforcuar kapacitetet e Njësisë Policore të Specializuar (NjPS) ekzistuese të Misionit të Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX).
NjPS-ja e rregullt e EULEX-it, e përbërë nga 105 policë polakë, është e stacionuar në Mitrovicë dhe është reaguesi i dytë i sigurisë në Kosovë, që është pjesë përbërëse e mekanizmit me tri nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti kurse NATO/KFOR-i i treti, thuhet në njoftim.
Si pjesë e një angazhimi më të gjerë të BE-së në lidhje me Kosovën, Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) filloi në vitin 2008, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe transferimit të përgjegjësive në fushën e policisë, drejtësisë dhe doganave. nga Misioni i Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë në EULEX.
Ndryshe, ardhja e kontingjetit të ri të EULEX-it në Kosovë vjen në kohë kur situata në veri të vendit është tensionuar pas fillimit të zbatimit të Qeverisë së Kosovës për regjistrimin e veturave me targa RKS për qytetarët serbë të cilët kanë targa ilegale të Serbisë.