Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës në Kosovë, në Hagë sot fillon procesi gjyqësor kundër ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nga nëntori i vitit 2020 ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi dhe ish-deputeti Rexhep Selimi qëndrojnë në paraburgim nën akuzën për krime lufte të cilat Prokuroria Speciale e Kosovës (PSK) pretendon se janë kryer nga 1 janari i vitit 1998 deri më 31 dhjetor të vitit 2000.
Kërkesat për mbrojtje në liri të të akuzuarve të parashtruara nga mbrojtja deri te Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK), deri më sot disa herë janë refuzuar.
Tri seancat e para
Deklaratat hyrëse sipas njoftimit të fundit të DhSK-së, përveç ditës së sotme do të mbahen edhe më 4 dhe 5 prill.
Aktakuza fillestare kundër katër të akuzuarve u konfirmua më 26 tetor 2020, dhe u ndryshua më 3 shtator 2021, 29 prill 2022, dhe 30 shtator 2022. Versioni me më pak redaktime i Aktakuzës u dorëzua më 27 shkurt 2023.
"Secili prej të akuzuarve është akuzuar mbi bazën e përgjegjësisë penale individuale me gjashtë akuza për krime kundër njerëzimit: përndjekje, burgim, akte të tjera çnjerëzore, torturë, vrasje e paligjshme dhe zhdukje me forcë e personave", thuhet në kumtesën e DhSK-së. Po ashtu, në kumtesë thuhet se kundër secilit prej të akuzuarve janë ngritur katër akuza për krime lufte: arrestim dhe ndalim i paligjshëm dhe arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje e paligjshme.
Në aktakuzë parashtrohet se krimet për të cilat janë ngritur akuzat u kryen së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 dhe ndodhën në disa vende në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë e Veriut. Pretendohet se krimet u kryen nga anëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) kundër qindra civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Në aktakuzë pretendohet se Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi mbajnë përgjegjësi penale individuale në bazë të formave të ndryshme të përgjegjësisë penale, për krime të kryera në kontekstin e një konflikti të armatosur jondërkombëtar në Kosovë të cilat ishin pjesë e një sulmi gjerësisht të përhapur dhe sistematik kundër personave që dyshoheshin si kundërshtarë të UÇK-së.
Pala mbrojtëse fjalën hyrëse parashihet ta ketë më 4 prill.
Siç njofton DhSK-ja, 140 persona janë pranuar si viktima pjesëmarrëse në procesin gjyqësor.
Trupi Gjykues ka bërë të ditur se paraqitja e provave në gjykim, duke përfshirë edhe thirrjen e dëshmitarëve nga ZPS-ja, do të fillojë më 11 prill 2023.
Në vazhdim, TRT Balkan ju sjell një pjesë të biografisë së katër ish-drejtuesve të UÇK-së, të cilët po ballafaqohen me akuzat e PSK-së për krime lufte.
Hashim Thaçi
Hashim Thaçi ishte drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Këtë post ia besoi Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së. Postin e mbajti deri më 19 shtator 1999, kur UÇK-ja u transformua në TMK.
Gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën, të mbajtur në Rambuje të Francës, nga 6 deri më 22 shkurt 1999, Hashim Thaçi ishte Kryesues i Delegacionit të Kosovës. Konferenca përfundoi në Paris më 18 mars 1999, ku pas nënshkrimit të palës shqiptare, iu hap rruga intervenimit ushtarak të NATO-s për Kosovën.
Në mars 1999 Hashim Thaçi ishte Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (Qeveria e Unitetit).
Më 9 janar të vitit 2008 Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës. Më 17 shkurt 2008, Kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës lexoi deklaratën e Pavarësisë së Kosovës. Në zgjedhjet e parakohshme të mbajtura në Kosovë më 12 dhjetor, Hashim Thaçi u rizgjodh kryeministër. Nga viti 2014 deri në vitin 2016 Thaçi ishte në pozitën e ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës. Në shkurt të vitit 2016 ai zgjidhet president i Republikës së Kosovës.
Kadri Veseli
Gjatë luftës në Kosovës 1998/99 Kadri Veseli, ka qenë udhëheqës i Shërbimit Informativ të UÇK-së ndryshe i njohur si Zbulim-Kundër Zbulim (G-2). Pas përfundimit të luftës ky institucion e mori emrin Shërbimi Informativ i Kosovës.
ShIK-u zyrtarisht përmbylli misionin në vitin 2008 kur Kadri Veseli shpalli shpërbërjen e saj.
Veseli disa vjet me vonë do të inkuadrohet në politikë në radhët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe më pas në dy raste 2014 dhe 2017 zgjidhet kryetar i Kuvendit të Kosovës.
Jakup Krasniqi
Jakup Krasniqi, gjatë luftës në Kosovë 1998/99 ka qenë në pozitën e zëdhënësit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Po ashtu, Krasniqi në vitin 1999 ka qenë anëtar i Delegacionit të Kosovës dhe i Grupit Politik në Konferencën e Rambujesë. Pas përfundimit të luftës ka ushtruar disa detyra në ekzekutiv si ministër për Rindërtim dhe Zhvillim dhe ministër për Shërbime Publike. Gjithashtu, ka qenë pjesë edhe e pushtetit ligjvënes si deputet. Në vitin 2008 kur u shpall pavarësia e Kosovës, Jakup Krasniqi e ushtronte detyrën e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Rexhep Selimi
Një ndër themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është edhe Rexhep Selimi. Ai së bashku me Mujë Krasniqin dhe Daut Haradinaj, më 27 nëntor të vitit 1997 për herë të parë do ta paraqesin UÇK-në publikisht.
Gjatë vitit 1998, Rexhep Selimi ka qenë drejtues i Drejtorisë së operacioneve në SHP të UÇK-së. Më pas, Selimi ka qenë Inspektor i Përgjithshëm i UÇK-së. Gjatë viteve 1999- 2000 ka qenë Ministër i Rendit Publik në Qeverinë e Përkohshme të Kosovës. Nga viti 2000 deri në 2003 Rexhep Selimi ka qenë Komandant i Akademisë së Mbrojtjes dhe Komandant i Komandës së Trajnimit dhe Doktrinës në TMK. Rexhep Selimi ka gradën gjeneralmajor. Në kohën e ngritjes së aktakuzës nga PSK-ja ai ishte deputet në Kuvendin e Kosovës nga radhët e Vetëvendosjes.