Sezoni i verës ka sjellë fluksin e zakonshëm në pishinat e ndryshme në vendet e rajonit. Fëmijë e të rritur kërkojnë freskim nga temperaturat e larta duke vizituar ndonjë prej këtyre pishinave.
Por, këtë vit, qytetarët u përballën me çmime drastikisht më të larta sesa vitin e kaluar. Thuajse të gjitha pishinat në rajon i kanë rritur çmimet për të paktën 50%, ndërsa diku edhe janë dyfishuar.
Rritje enorme në pishinat private të Tiranës
Çmimi i biletave për pishinat në Tiranë është rritur shumë krahasuar me vitin e kaluar. Në shumicën e pishinave gjatë vitit 2022, pushuesit e rritur kishin paguar nga 600 deri 1.500 lekë, ose prej 5,5 euro deri 14 euro.
Këtë vit, biletat më të lira për të rritur fillojnë nga 1.000 lekë (9,5 euro), ndërsa biletat VIP kushtojnë deri 2.500 lekë (rreth 24 euro).
Dyfishohen çmimet në Prishtinë
Në pishinën e Gërmisë në Prishtinë, pushuesit gjetën çmime dyfish më të shtrenjta këtë vit. Hyrja në pishinën e Gërmisë tani kushton 4 euro për person gjatë ditëve të javës dhe 5 euro gjatë fundjavës.
Vitin e kaluar, vizitorët paguanin 2 euro gjatë javës dhe 3 euro në fundjavë.
Ndërmarrja publike e cila e menaxhon pishinën e Gërmisë e arsyeton rritjen me investimet që janë bërë këtë vit dhe rritjen e shpenzimeve për menaxhim dhe mirëmbajtje.
Çmime më të larta edhe në Shkup
Në Shkup të Maqedonisë së Veriut, çmimet e biletave për pishinë fillojnë nga 5 deri në 7 euro këtë vit. Në të gjitha pishinat komerciale ka rritje krahasuar me vitin e kaluar, kur çmimet ishin rreth 4 deri në 5 euro për të rritur.
Edhe përkundër shtrenjtimit, pishinat në Shkup ngelen më të lirat krahasuar me Tiranën dhe Prishtinën dhe me rritjen më të vogël nga viti i kaluar.