Në njëvjetorin e invazionit rus në Ukrainë është organizuar në Kuvendin e Kosovës ceremoni e pritjes dhe dorëzimit të letrave të falënderimit për gazetarët ukrainas të strehuar në Kosovë.
Në këtë ceremoni morën pjesë udhëheqës të institucioneve të larta në vend dhe ambasadorë të vendeve të huaja.
Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se në njëvjetorin e luftës së tmerrshme në Ukrainë, dhimbja është e madhe për jetët e humbura, e solidarizimi me Ukrainën është maksimal krahas vendosmërisë për triumf.
Osmani tha se Kosova ka hapur zemrat dhe dyert duke mbështetur gazetarët nga Ukraina sepse "ua njohim dhimbjen dhe rëndësinë e rrëfimit dhe mbrojtjes së të vërtetës".
"Ukraina nuk do të jetë asnjëherë vetëm, sepse atje po mbrohet çdo ditë Evropa e tërë dhe e lirë. Si asnjëherë më parë, bota po përballet me tendencat hegjemoniste të autokratëve në pjesë të ndryshme. Lufta e paprovokuar në Ukrainë tregon për rrezikun nga regjime autoritare si ai i Putinit që kërkon zgjerimin e fuqisë, ndikimit dhe territorit duke cenuar të drejtat dhe sovranitetin e kombeve të tjera e duke kryer krime të llahtarshme për të arritur këto qëllime", theksoi Osmani.
Në fjalën e tij, kryeministri i Kosovës tha se Kosova shprehu gatishmërinë për të strehuar deri 5 mijë refugjatë nga Ukraina me fillimin e luftës atje, por edhe vendosi sanksione për Rusinë, në koordinim me Bashkimin Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA).
Kurti tha se Ukraina duhet të fitojë sepse vetëm kështu do të ruhet paqja dhe demokracia në kontinentin e Evropës.
“Jemi të lumtur që Kosova jonë është bërë shtëpi e 12 gazetarëve ukrainas. Me urimin që është bërë shtëpi edhe si ndjenjë përveç se si strehe do të jemi pranë jush si popull, si shoqëri, si institucione, si dje, si sot, si nesër”, theksoi Kurti.
Gazetarja ukrainase Ludmila Makey tha se pushtuesit planifikonin ta merrnin qytetin e Kievit për tri ditë, por hasën në rezistencë të pabesueshme të ukrainasve e cila zgjati 365 ditë.
"Gjatë kësaj kohe liderët e shteteve pranë filluan gradualisht rrezikun që paraqet për botën regjimi kriminel i Putinit. Ata e kuptuan që ukrainasit jo vetëm që mbrojnë tokën e tyre, por edhe vlerat demokratike të kombeve tjera. Prandaj, bota filloi të bashkohet dhe ta mbështesë Ukrainën në luftën e saj për të drejtën dhe jetën", theksoi Makey.
Që nga muaji prill i vitit 2022 në Kosovë janë strehuar 12 gazetarë duke vazhduar punën e tyre informuese për popullin ukrainas si gazetarë dhe duke ndarë përvojën e jetës së tyre në Kosovë me bashkëvendësit e tyre.
Gazetarët ukrainas kanë ardhur në Prishtinë nëpërmjet programit "Gazetarët në Rezidencë", ndërmjetësuar nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkërendim me Asociacionin e Gazetarëve të Kosovës (AGK).
Identifikimi dhe përzgjedhja e gazetarëve bëhet nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe Medias në bashkëpunim me Qeverinë e Republikës së Kosovës, duke u dhënë përparësi gazetareve gra.