Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me 15 muaj burgim dhe 12 mijë euro gjobë të akuzuarin për sulm ndaj pjesëtarëve të Misionit të NATO-s në Kosovë (KFOR) në komunën e Zveçanit, Nenad Orlloviq.
Sipas njoftimit të Gjykatës Themelore, kryetarja e trupit gjykues, Valbona Musliu-Selimaj, tha se vendimi do të bëhet direkt i zbatueshëm, meqë vjen si rezultat i marrëveshjes për pranimin e fajësisë.
Serbi me nënshtetësi kosovare dhe serbe, Orloviq, u dënua për veprat penale pjesëmarrje në turmë që kryen vepra penale e huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar.
"I akuzuari N.O është shpallur fajtor dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej pesëmbëdhjete (15) muaj për veprën penale Sulmi ndaj personit zyrtar, i cili dënim do të ekzekutohet menjëherë pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi. Koha e kaluar në masën e paraburgimit nga data 23.06.2023, do t’i llogaritet në dënimin e shqiptuar me burgim", thuhet në njoftimin e gjykatës.
Përpos këtij dënimi me burg, i akuzuari do t’i paguaj edhe 12 mijë euro gjobë në vend të mbajtjes së gjashtë (6) muajve burgim për veprën tjetër penale "Pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale dhe huliganizëm", ku u shpall fajtor.
Sipas aktakuzës, Orloviq më 29 maj 2023, nga orga 6 e mëngjesit deri në orët e mbrëmjes në perimetrin në të cilin gjendet objekti i Komunës së Zveçanit, në koordinim me shumë të pandehur të tjerë të nacionalitetit serb nga Kosova dhe Serbia, kishin marr pjesë aktiv në grupin e personave në kryerjen e veprave penale serioze, në atë mënyrë që përmes përdorimit të dhunës i kishin sulmuar dhe kanosur ushtarët e misionit paqeruajtës të KFOR-it, duke përdorë mjete të forta, mjete shpërthyese të improvizuara si dhe armë të zjarrit.
Orlloviq është në paraburgim prej 26 qershorit të vitit të kaluar.