Sllovenia nuk dëshiron të jetë vetëm mike e Bosnjë-Hercegovinës, por aleati më i madh i saj, tha kryeministri i Republikës së Sllovenisë Robert Golob në Sarajevë pas takimit me kryetaren e Këshillit të Ministrave të BeH-së, Borjana Kristo.
Sot, Golob mbërriti në BеH, që është vizita e tij e parë zyrtare jashtë vendit. Ai u prit me nderimet më të larta shtetërore, pas së cilës u mbajt takimi i delegacioneve të BeH-së dhe Sllovenisë.
Kryeministri slloven tha se në vendin e tij, por edhe në skenën ndërkombëtare ka ndodhur një ndryshim i rëndësishëm. Siç tha ai, u intensifikua parimi i solidaritetit midis kombeve dhe bashkëpunimit politik.
“Vetëm kështu do të arrijmë zhvillimin ekonomik, përparimin e vendit. Dhe ku, nëse jo pikërisht në BeH, duhet të zbatohen ato parime. Pikërisht për shkak të së kaluarës së BeH-së, Sllovenia dëshiron stabilitet në këtë pjesë të Evropës, si dhe për shkak të marrëdhënieve tona ekonomike. Sllovenia investon në BeH. Prandaj, përpjekjet tona janë vërtet logjike dhe nuk ka mesazhe të fshehura”, tha Golob.
Fokusi kryesor i vizitës së kryeministrit slloven është se si të ndihmohet më tej Bosnjë e Hercegovina në rrugën e saj evropiane pas vendimit të rëndësishëm gjeostrategjik të Këshillit Evropian në dhjetor për t'i dhënë BeH-së statusin e kandidatit.
“Kam dy mesazhe për ju. Të them të drejtën, atmosfera në Bruksel ka ndryshuar dhe kjo është një mundësi historike. Në 20 vitet e fundit, procesi i zgjerimit është ndalur nga çështje tekniko-administrative. Megjithatë, sot ajo është bërë një çështje politike dhe ky moment historik duhet të përdoret për përparimin e BeH-së në atë rrugë. Së dyti, Sllovenia nuk dëshiron vetëm të jetë një shtet mik i BeH-së, por aleati i saj më i madh. Prandaj, kemi ofruar gjithë ndihmën e mundshme nga ndihma teknike, administrative, profesionale e deri tek ajo financiare gjatë rrugës”, tha Golob.
Ai theksoi se për shkak të luftës në Ukrainë, ato vende që dikur ishin skeptike për procesin e zgjerimit të BE-së, në kuptimin politik, janë të gatshme për negociata dhe vazhdimin e procesit të zgjerimit në Ballkanin Perëndimor.
“Paralelisht me këtë, brenda kornizës së BE-së, qasja shtetërore se si të lidhet BE-ja me fqinjët e saj - i ashtuquajturi zgjerim i butë i BE-së në kufijtë e saj më të jashtëm me fqinjët e saj, domethënë vendet që nuk janë anëtare të BE-së, po vazhdon.
Një nga skenarët e mundshëm të mbështetur nga Sllovenia është një zgjerim me faza, në të cilin vetë vendi kandidat do të përfitojë nga të gjitha reformat që do të ndërmarrë gjatë rrugës, kryesisht në kontekstin e arsimit, rinisë dhe legjislacionit”, tha Golob.
Në fund, ai tha se mes BeH-së dhe Sllovenisë ka hapësirë për përmirësimin e bashkëpunimit të ndërsjellë në fushën e burimeve të rinovueshme të energjisë dhe se vendi i tij është i gatshëm të investojë.
Për sot është paralajmëruar takim me kryetarin dhe anëtarët e kolegjiumit të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Dhomës së Popullit të Asamblesë Parlamentare të BeH-së, si dhe me kryetarin dhe anëtarët e Presidencës së BeH-së.
Marrëdhëniet ndërmjet Republikës së Sllovenisë dhe Bosnjë-Hercegovinës janë tradicionalisht miqësore. Republika e Sllovenisë mbështet aktivisht Bosnjën dhe Hercegovinën në qasjen e saj ndaj integrimit evropian dhe ka lobuar me sukses që BeH-së t'i jepet statusi kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Kështu, më 13 dhjetor 2022, Këshilli Evropian për Çështje të Përgjithshme miratoi vendimin për dhënien e statusit kandidat, të cilin Këshilli Evropian e konfirmoi në seancën e 15-të dhe të 16-të dhjetorit të vitit të kaluar. Vendimi bazohet në iniciativën sllovene.