Beqiroviç me Stoltenberg në Bruksel: Tani jemi në derën e NATO-s.    /Foto: AA

Kryetari i Presidencës së Bosnjës e Hercegovinës, Denis Beqiroviç, ka nisur të hënën vizitën e tij në selinë e NATO-s në Bruksel, gjatë së cilës është takuar me Sekretarin e Përgjithshëm të Aleancës Veriatlantike, Jens Stoltenberg.

Ky është takimi i tretë mes Denis Beqiroviqit dhe Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg në pak më shumë se një vit, si dhe pas takimit ata mbajtën një konferencë për shtyp.

Stoltenberg mbështeti edhe një herë integritetin territorial dhe sovranitetin e BeH-së, duke theksuar se vendi është partner afatgjatë i NATO-s.

Ai tha se NATO-ja mori një rekomandim që Bosnjë e Hercegovinës t’i jepet statusi i kandidatit, duke pasur parasysh përparimin që ka bërë vendi.

"Ne mirëpresim përpjekjet për të forcuar bashkëpunimin midis Forcave të Armatosura të Bosnjë e Hercegovinës dhe NATO-s dhe forcimin e aftësive tuaja brenda standardeve të NATO-s. Ne jemi të gatshëm të forcojmë dialogun politik dhe bashkëpunimin për qëllimin e së ardhmes dhe sigurisë sonë të përbashkët", tha Stoltenberg.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s shprehu shqetësimin për përdorimin e retorikës ndezëse, e cila përdoret nga politikanë të caktuar në Bosnjë e Hercegovinë. Ai posaçërisht theksoi se të gjithë liderët politikë në BeH duhet të sigurojnë funksionimin normal të institucioneve shtetërore, që është një çështje kyç për paqen dhe stabilitetin në BeH, por edhe në rajon.

Ai shtoi se qëllimi përfundimtar i programit MAP është anëtarësimi i BeH-së në NATO, por për ta arritur këtë është e nevojshme që BeH-ja t’i zbatojë të gjitha reformat e nevojshme.

Beqiroviq përkujtoi se të gjitha institucionet shtetërore në Bosnjë e Hercegovinë kanë miratuar të gjitha dokumentet e nevojshme ligjore për paraqitjen e aplikacioneve për anëtarësim në Aleancë.

"BeH-ja nuk mund të kthehet më prapa. Tani jemi në derën e NATO-s dhe duhet ta përdorim këtë mundësi për hir të të gjithë qytetarëve të BeH-së. Ne kemi treguar se BeH-ja është një partner i besueshëm", tha Beqiroviq, duke theksuar se “janë plotësuar të gjitha kushtet formale për një ftesë BeH-it për anëtarësimin në NATO”.

Beqiroviç tha se i propozoi disa gjëra Stoltenbergut, ndër të tjerash, që BeH-së t’i dërgohet ftesa përfundimtare për anëtarësim në NATO dhe të rinovohet prania në bazat ushtarake në BeH.

"Unë propozova gjithashtu propozime specifike, ndër të tjerash, që NATO-ja, përmes një zbatimi më gjithëpërfshirës të Planit të Veprimit për anëtarësim, të përcaktojë një nivel më të lartë dhe më konkret të integrimit dhe lidhjes midis BeH-së dhe NATO-s, duke përfshirë operacione më konkrete të sigurisë", tha Beqiroviq dhe shtoi:

“Unë propozova gjithashtu që NATO-ja të intensifikojë angazhimin proaktiv, duke përfshirë masat e parandalimit si dhe praninë e mundshme të NATO-s në bazat ushtarake në BeH, në mënyrë që të parandalohet çdo prishje e paqes dhe sigurisë në BeH. Të gjithë jemi dëshmitarë se kohët e fundit, për fat të keq, ka forca anti-Dejton që kërcënojnë seriozisht Marrëveshjen e Paqes të Dejtonit dhe rendin kushtetues”.

TRT Balkan / agjencitë