I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misionet speciale tha se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër Kurtit.
I dërguari i presidentit amerikan Donald Trump për misionet speciale tha se qeveria e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Donald Trumpit ose gjatë mandatit të Joe Biden.
Richard Grenell shkroi në X se administrata Trump ka punuar për paqen për të gjithë në Ballkan dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë. Por, tha ai, ata kanë nevojë për partnerë të besueshëm.
"Qeveria e Kurtit nuk ishte e besueshme gjatë mandatit të parë të Trumpit, as gjatë mandatit të Bidenit. Si republikanët ashtu edhe demokratët e kanë kritikuar vazhdimisht Kurtin për ndërmarrjen e veprimeve të njëanshme që destabilizojnë rajonin. Ashtu si BE-ja dhe NATO-ja, komuniteti ndërkombëtar është i bashkuar kundër Kurtit", tha Grenell duke deklaruar se kompanitë amerikane po zgjerohen në Shqipëri dhe Serbi, por jo në Kosovë për shkak të Kurtit.
Ai theksoi se Kurti ishte kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Bill Clinton, George W. Bush, Barack Obama, Joe Biden dhe Donald Trump.
"Retorika që Kurti po përdor tani, duke pretenduar se është afër ShBA-së dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos e gënjeni veten", shtoi Grenell.