Hapet Muzeu i Fëmijëve të Luftës në Prishtinë       / Foto: AA

Në Prishtinë është hapur Muzeu i Fëmijëve të Luftës, i cili nëpërmjet kujtimeve të fëmijëve në kohën e luftës së fundit në Kosovë sjell rrëfime të ndryshme të tyre.

Muzeu i cili kontribuon në dokumentimin dhe ruajtjen e kujtesës së periudhës së luftës me qëllim edhe për t’i informuar gjeneratat e reja mbi ndodhitë e luftës në Kosovë, mblodhi në hapje përfaqësues të institucioneve të ndryshme dhe qytetarë.

Ky muze i cili u hap me ekspozitën “Loja e ndërprerë”, shfaqi para qytetarëve lodra të ndryshme në xham, që për qëllim kanë ta tregojnë traumën e ndërprerjes së lojërave fëmijërore në kohë të luftës.

Drejtoresha ekzekutive e organizatës joqeveritare Iniciativa e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut - Kosovë (YIHR KS), Marigona Shabiu, e cila e ngriti këtë muze, theksoi se ky muze është një hapësirë që shërben për shërim, për nxjerrje të asaj traume jashtë dhe për çlirim individual dhe kolektiv. Sipas saj, një aspekt shumë i rëndësishëm është që muzeu dhe ekspozita janë kuruar në atë mënyrë që t’i kontribuojnë paqes dhe pajtimit.

“Ky muze nuk është thjesht një hapësirë fizike, por një përpjekje për të ndërtuar ura në mes të së kaluarës dhe së ardhmes. Është një hapësirë për të dëgjuar zëra që shpesh harrohen, për ta kuptuar dhimbjen e së shkuarës dhe për të mësuar nga ajo”, theksoi Shabiu.

Ajo tha se fëmijët shpesh janë viktimat më të pambrojtura të luftës, duke bartur mbi vete trauma që shkojnë përtej fëmijërisë së tyre.

Në Kosovë konsiderohet se gjatë luftës së fundit janë mbi 10 mijë të vrarë, nga të cilët 1.133 fëmijë.

TRT Balkan / agjencitë
Kjo faqe përdor cookies. Duke vazhduar të shfletoni faqen, ju pranoni përdorimin e cookies.Politika e Cookies
Pranoj