Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Igli Hasani, ka zhvilluar një vizitë në Türkiye, ndërkohë në konferencën e përbashkët me homologun turk, Hakan Fidan, tha se një Türkiye e fortë dhe e zhvilluar është faktor kyç për sigurinë në rajon, Evropë dhe më gjerë.
Hasani tha se fryma e miqësisë dhe bashkëpunimi i gjatë dhe i frytshëm ka karakterizuar marrëdhëniet mes dy vendeve.
Hasani falënderoi Türkiyen dhe presidentin Recep Tayyip Erdoğan për ndihmën dhe mbështetjen e ofruar për ndërtimin e Xhamisë së Namazgjasë në Tiranë, që sipas tij, është një dhuratë e çmuar.
"Një nga temat kyçe që diskutuam ishte bashkëpunimi në fushën ekonomike dhe tregtisë. Türkiye është një nga investitorët kryesore në Shqipëri. Mbi 15 mijë shqiptarë janë punësuar nga rreth 1.000 kompani turke që operojnë në tregun shqiptar. Mendimi ynë është se shkëmbimi tregtar mes dy vendeve ende nuk e pasqyron realisht potencialin tonë të plotë. Ambicia jonë e përbashkët është që sa më shpejt ne të arrijmë nivelin e dy miliardë eurove", tha Hasani.
Kryediplomati i Shqipërisë u shpreh se në turizëm Türkiye ka arritur transformime të jashtëzakonshme dhe ka zhvilluar një kapacitet ekselence.
"Së bashku diskutuam edhe për dinamikat e bashkëpunimit rajonal. Nuk mund të lë pa përmendur angazhimin e lartë politik dhe diplomatik të Türkiyes veçanërisht mbështetjen e dhënë për njohjen e Kosovës në arenën ndërkombëtare dhe përpjekjet e vazhdueshme për anëtarësimin e saj në organizata ndërkombëtare dhe rajonale", tha Hasani.
Duke folur për luftën Rusi-Ukrainë, Hasani tha se "Konstatuam nevojën për të rritur dhe forcuar bashkëpunimin tonë dypalësh me Türkiyen, me partnerët evropianë, por dhe në kuadër të NATO-s për t'u përballur më mirë me sfidat e sigurisë në të gjitha dimensionet".
Ai tha se kanë folur edhe për zhvillimet në Lindjen e Mesme, duke theksuar se "Shqipëria mbështet zgjidhjen e ekzistencës së dy shteteve në konfliktin e përgjakshëm Izrael-Palestinë. Ne e mirëpresim marrëveshjen e armëpushimit".
"Përshëndes rolin që luan Türkiye në krijimin e hapësirave të duruara të dialogut dhe kompromisit si mjete të arritjes së një paqeje të qëndrueshme në Siri. Një Türkiye e fortë dhe e zhvilluar është faktor kyç për sigurinë në rajonin tonë, atë të kontinentin evropian dhe më gjerë", tha ndër të tjera Hasani.