Incidenti në Banjskë: Policia e Kosovës kontrolle në pesë lokacione në veri

Incidenti në Banjskë: Policia e Kosovës kontrolle në pesë lokacione në veri

Policia e Kosovës ka njoftuar se po kryen kontrolle në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës.
Incidenti në Banjskë: Policia e Kosovës kontrolle në pesë lokacione në veri.     /Foto: Reuters

Policia e Kosovës ka njoftuar se po kryen kontrolle në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës.

Në njoftimin e policisë thuhet se këto operacione po zhvillohen lidhur me ngjarjet e fundit në fshatin Banjskë, ku sipas autoritereve kosovare në një sulm terrorist mbeti i vrarë rreshteri policor Afrim Bunjaku e u plagosën dy të tjerë.

Bëhet e ditur se këto kontrolle janë duke u zhvilluar në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in.

“Sot, më datë 29.09.2023 Policia e Kosovës është duke zbatuar urdhëresën e gjykatës kompetente për kontrolle, në pesë lokacione në tri komunat në veri të Kosovës. Këto operacione janë duke u zhvilluar lidhur me ngjarjet e fundit të ndodhura në fshatin Banjskë. Operacioni policor është duke vazhduar nga njësitet relevante të Policisë së Kosovës, me prezencën në vend ngjarje të Prokurorit (të PSRK-së). Me këtë rast Policia e Kosovës njofton qytetarët se nuk kanë nevojë për ndonjë shqetësim. Këto urdhër kontrolle janë duke u zbatuar në koordinim me EULEX-in dhe KFOR-in”, thuhet në njoftim.

Kujtojmë se Policia e Kosovës ka gjetur arsenal armatimi në Manastirin e Banjskës, ku sulmuesit serbë u strehuan të dielën e 24 shtatorit.

Armatimi që u gjet aty arrin vlerën prej 5 milionë eurosh dhe ishte i bollshëm për qindra njerëz.

Sulmin e së dielës e kanë dënuar institucionet e Kosovës dhe bashkësia ndërkombëtare.

TRT Balkan