Kalatë historike në Shqipëri tërheqin mijëra vizitorë të huaj dhe vendas.     /Foto: ATA

Kalatë e shumta anembanë Shqipërisë me historinë dhe arkitekturën e tyre po tërheqin një numër përherë e më të madh vizitorësh vendas, por edhe të huaj.

Ministrja e Kulturës e Shqipërisë, Elva Margariti, ndau në rrjetet sociale shifrat e vizitorëve të regjistruar në periudhën janar-korrik në kalatë e vendit.

“Kalatë vazhdojnë të jenë pikat më të vizituara nga turistët. Këtë vit numri i vizitorëve është shumë më i lartë se vitet e mëparshme. Në periudhën janar-korrik kalatë u vizituan nga 111.573 vizitorë vendas e të huaj”, theksoi Margariti.

Margariti ndau gjithashtu shifrat e rritjes së ndjeshme të vizitorëve në kalatë historike gjatë së njëjtës periudhë në vitet e fundit.

“Në janar- korrik 2022 kalatë u vizituan nga 63.731, në 2021 nga 69.674 vizitorë dhe në 2020 nga 24.015 vizitorë vendas e të huaj”, tha Margariti.

Në Shqipëri ndodhen një sërë kalash si : kalaja e Gjirokastrës, kalaja e Lëkurësit, Sarandë, kalaja e Krujës, kalaja e Beratit, Kalaja e Petrelës, Tiranë, Kalaja e Ali Pashës, Tepelenë, kalaja e Rozafës, Shkodër etj.

TRT Balkan / agjencitë