Kimberly West, në krye të Zyrës së Prokurorit të Specializuar të Kosovës.     /Foto: Dhomat e Specializuara të Kosovës/Twitter

Prokurorja amerikane Kimberly West është emëruar në detyrën e Prokurores së Specializuar pranë Dhomave të Specializuara të Kosovës (DhSK), ndryshe të njohura si Gjykata Speciale për krime lufte në Kosovë.

Emërimi i saj, njoftoi Zyra e Prokurorit të Specializuar të Kosovës (ZPS), erdhi pasi prokurori i mëparshëm Jack Smith u largua nga kjo detyrë në nëntor të vitit 2022, për të marrë një post si Prokuror Special në ShBA.

Alex Whiting shërbeu si ushtrues i detyrës së Prokurorit të Specializuar që nga ajo kohë.

"Është një nder që jam përzgjedhur në këtë rol të rëndësishëm dhe sfidues. Pres me kënaqësi të marr detyrën në ZPS-ja dhe ta çoj përpara punën e saj", është shprehur West, sipas njoftimit.

Kryetarja e DHSK-së, gjykatësja Ekaterina Trendafilova, i ka shprehur urimet e saj prokurores West për emërimin e saj.

Duke iu referuar përvojës së gjerë të Prokurores së Specializuar në të drejtën penale si në nivel shtetëror ashtu edhe atë ndërkombëtar, Trendafilova ka theksuar se West "pa dyshim që do t’i shërbejë më së miri Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe do të kontribuojë qenësishëm për përmbushjen efikase të mandatit të kësaj zyre".

Kimberly West bëhet prokuroja e tretë e specializuar e ZPS-së me seli në Hagë, pas Jack Smith, i cili shërbeu në këtë detyrë midis viteve 2018 dhe 2022, si dhe David Schwendiman, i cili shërbeu nga viti 2016 e deri në 2018.

Sipas njoftimit, West ka punuar si prokurore për më shumë se dy dekada në role në nivel vendor, federal dhe ndërkombëtar.

Gjykata speciale u themelua pas miratimit në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. Organi gjyqësor i themeluar për të hetuar dhe gjykuar krimet e luftës që pretendohet se janë kryer në rajon në vitet 1998-2000, përbëhet nga gjykatës dhe prokurorë ndërkombëtarë.


TRT Balkan / agjencitë