Konferenca Mbarëkombëtare e Arkivistikës këtë vit do të mbahet në Manastir     / Foto: AA

Konferenca e radhës Mbarëkombëtare e Arkivistikës këtë vit do të organizohet në Manastir të Maqedonisë së Veriut, me pjesëmarrjen e studiuesve nga disa vende.

Drejtori i Përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, Ardit Bido, në një deklaratë për mediat tha se pas Tiranës, Prishtinës, Shkupit, Sarandës, Tuzit dhe Boletinit, Manastiri do të jetë ndalesa e radhës në edicionin e përvitshëm të Konferencës Mbarëkombëtare të Arkivistikës.

"Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave në bashkëpunim Agjencinë Shtetërore të Arkivave të Kosovës, Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si dhe Muzeun e Alfabetit në Manastir, organizojnë këtë vit në datat 10 dhe 11 qershor 2023 Konferencën e 7-të Mbarëkombëtare të Arkivistikës", tha Bido.

Bido theksoi se DPA-ja fton studiuesit, nëpunësit dhe të gjithë të interesuarit e kësaj fushe të marrin pjesë në konferencë me studime, ide dhe me propozime të larmishme.

Ai tha se, veç arkivistëve të rrjeteve arkivore kombëtare, kjo ftesë për pjesëmarrje u drejtohet të gjitha profileve të tjera të arkivistëve, historianëve dhe studiuesve dhe, sipas tij, veçanërisht institucioneve që ruajnë, apo që ndërveprojnë për ruajtjen e kujtesës kolektive.

"Qëllimi i konferencës është mundësimi i një pikëtakimi mes ekspertëve dhe studiuesve të arkivave të trojeve shqiptare dhe të arkivave të rajonit, të cilët mblidhen për të diskutuar periodikisht për problematikat, metodologjinë e studimit, digjitalizimin, përmirësimin e infrastrukturës së përmbajtjes, inovacionin, si dhe për vizionin e punës së arkivave në realitet e sotme", tha Bido.

Sipas DPA-së, temat e propozuara për diskutim lidhen specifikisht me arkivistikën, të drejtat e njeriut dhe me historinë e arkivave apo të institucioneve arkivore në zonat shqipfolëse.

AA