Kosova bëhet pjesë e hartës së internetit StarlinkKosova bëhet pjesë e hartës së internetit Starlink           / Foto: AA

Rrjeti privat satelitor i internetit Starlink i miliarderit amerikan Elon Musk, tani është funksional edhe në territorin e Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur vet Musk, pronari i kompanisë hapësinore amerikane SpaceX, i cili shkroi në rrjetet sociale se “Starlink tani edhe në Kosovë”.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Starlink filloi shërbimet satelitore të qasjes në internet edhe në Kosovë pas lëshimit të autorizimit nga Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare.

“Ky është një hap i rëndësishëm në avancimin e infrastrukturës digjitale në vend dhe ofron mundësi të shumta për qasjen në internet në çdo lokacion e cep të territorit të Republikës së Kosovës”, theksoi Kurti.

Kryeministri kosovar tha se Starlink është dëshmuar jashtëzakonisht i rëndësishëm në mundësimin e komunikimit kritik gjatë fatkeqësive natyrore ose rasteve të tjera të emergjencave kombëtare.

Në tetor, Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP) në Kosovë njoftoi se e ka autorizuar kompaninë amerikane Starlink për ofrimin e qasjes në internet në çdo lokacion të Kosovës.

TRT Balkan / agjencitë