Ministri i Kulturës, i Rinisë dhe i Sportit në Kosovë, Hajrulla Çeku, bashkë me homologun e tij nga Bullgaria, Nayden Todorov, kanë nënshkruar marrëveshje Kosovë-Bullgari për bashkëprodhim në kinematografi.
Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje u bë në selinë e ministrisë në Prishtinë, derisa të dy ministrat u deklaruan për media pas nënshkrimit.
Ministri kosovar Çeku në emër të Qeverisë së Kosovës shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme të Bullgarisë në të gjitha fazat nëpër të cilat ka kaluar Kosova.
Çeku tha se nënshkrimi i marrëveshjes së sotme është konfirmim i marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve.
"Dy fondet e filmit, ai i Kosovës dhe Bullgarisë, tani e tutje do të bashkohen duke krijuar mundësi të reja për produksionet filmike, për artistët e filmit, kineastët nga të dyja vendet, që të prodhojnë bashkë", theksoi Çeku.
Tutje, ministri tha se mezi presin që të shohin filma kosovaro-bullgar si rezultat i këtij bashkëpunimi.
Ministri bullgar Todorov në fjalën e tij tha se shpreson që kjo marrëveshje e nënshkruar do të ketë ndikim të madh që të bëhen edhe marrëveshje tjera në të ardhmen.
Ai tha se nënshkrimi i kësaj marrëveshje shpreson që do t’i japë fuqi njërit prej arteve më të mëdha, kinemasë.
"Bullgaria ka qenë gjithnjë e gatshme për ta mbështetur Kosovën në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian dhe me këtë marrëveshje është një element më shumë për të shfaqur dëshirën tonë për të bashkëpunuar, jetuar dhe për të shkuar përpara bashkë në të ardhmen", theksoi Todorov.
Todorov tha se shpreson që vitin e ardhshëm teleshikuesit të kenë mundësi të shohin filma të prodhuara nga Bullgaria në bashkëpunim me Kosovën, si rezultat i marrëveshjes së nënshkruar sot.