Kosova dhe Kanadaja me program për trajnim të përbashkët ushtarak /         Foto: Zyra e Presidentes së Kosovës / Photo: AA

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, në kuadër të pjesëmarrjes në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në qytetin kanadez Halifax kanë takuar ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair.

Presidentja Osmani në rrjete social njoftoi se Kosova dhe Kanadaja do të fillojnë Programin e Bashkëpunimit në Trajnim Ushtarak.

“Së bashku me ministrin e Mbrojtjes Ejup Maqedonci, në Forumin Ndërkombëtar të Sigurisë në Halifax takuam ministrin e Mbrojtjes të Kanadasë, Bill Blair, i cili na dha lajmin e mirë rreth këtij programi, pas kërkesës që ia kam bërë ish-ministres së Mbrojtjes gjatë vizitës sime të mëparshme në Kanada”, shkroi presidentja Osmani.

Më tej, ajo theksoi se Kosova dhe Kanadaja janë “një partneritet në rritje në dobi të qytetarëve, paqes dhe sigurisë”.

Forumi Ndërkombëtar i Sigurisë në Halifax është ngjarje vjetore, e cila mbledh vendimmarrësit në kërkim të zgjidhjeve që kanë të bëjnë me sferën e sigurisë globale.

TRT Balkan / agjencitë