Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ka njoftuar për një marrëveshje me Katarin rreth anulimit të ndërsjellë të vizave, pasi ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sheikh Tamim Bin Hamad Al Thani.
Presidentja Osmani në platformën “X” shkroi se ka folur me emirin e Katarit Al Thani, një mik dhe aleat i madh i Kosovës, për marrëdhëniet e shkëlqyera mes Kosovës dhe Katarit, përpjekjet për forcimin e statusit ndërkombëtar të Kosovës, zgjerimin e mundësive për investime dhe për marrëveshjen e ardhshme për heqjen e ndërsjellë të vizave.
Paraprakisht, Emiratet e Bashkuara Arabe kishin njoftuar se nga 22 shkurti i këtij viti, qytetarët e Kosovës mund të udhëtojnë në atë vend pa viza.
Më pas erdhi miratimi i Qeverisë së Izraelit për anulimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Pas nënshkrimit të marrëveshjes nga ministritë kompetente të të dyja vendeve, qytetarët do të njoftohen për datën e hyrjes në fuqi të atij vendimi.
E gjithë kjo vjen pasi Bashkimi Evropian hoqi regjimin e vizave me Kosovën, në mënyrë që kosovarët të mund të udhëtojnë pa viza në vendet evropiane të zonës Shengen nga 1 janari i këtij viti.