“Kosova dhe Serbia 2024: Një vit i tensioneve dhe dialogut të brishtë”/  Foto: TRT Balkan

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë gjatë vitit 2024 janë shënuar nga tensione, incidente dhe një dialog të brishtë që shpesh ka dështuar të sjellë rezultatet e pritura. Në fakt sulmi i armatosur në fshatin Banjskë të Zveçanit në vitin 2023, shënoi një kthesë të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve që e ka diktuar edhe rrjedhjen e zhvillimeve në vitin 2024.

Në fillim të vitit 2024, Kosova mori masa drastike si ajo e parandalimit të përdorimin e dinarit serb në territorin e saj dhe mbylli pesë struktura paralele në komunat veriore me shumicë serbe, duke i shkaktuar irritim Beogradit zyrtar.

Një nga faktorët kryesorë që ka penguar përparimin në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë ka qenë refuzimi për t’u ulur në tryezë për bisedime.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vendosur kushte të forta për një takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Tri kërkesa kryesore të Kurtit janë nënshkrimi i Marrëveshjes Bazë, tërheqja e letrës me të cilën Serbia refuzoi ta zbatojë marrëveshjen me Kosovën, dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit, i dyshuar për organizimin e sulmit në Banjskë. Pa përmbushjen e këtyre kushteve, Kurti ka refuzuar të ulet në tryezë me Vuçiqin, duke thelluar hendekun mes palëve.

Nga ana tjetër, edhe presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka paraqitur për Kosovën disa kërkesa, duke përfshirë shpalljen e zgjedhjeve të reja lokale në veri, kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, si dhe tërheqjen e njësive speciale të Policisë së Kosovës nga rajoni verior.

Incidente të tjera dhe përpjekjet për paqe

Në vitin 2024, veriu i Kosovës ka qenë i përfshirë në incidente të tjera të dhunshme, të cilat përfshijnë hedhje të mjeteve shpërthyese dhe djegie të veturave.

Në nëntor të vitit 2024, një sulm me granata u realizua ndaj stacionit të policisë në Zveçan dhe ndërtesës së komunës, duke rritur shqetësimin për mundësinë e një eskalimi të dhunës. Po ashtu, një shpërthim në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, që furnizon disa qytete të Kosovës me ujë, u cilësua si një sulm i rëndë terrorist ndaj infrastrukturës kritike të Kosovës.

Të gjitha këto incidente tregojnë një pasiguri të vazhdueshme dhe një mungesë të besimit mes dy palëve, ndërsa përpjekjet ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje të qëndrueshme janë penguar nga mosmarrëveshjet e thella politike dhe dallimet e papajtueshme.

Brukseli ka bërë disa përpjekje për të afruar qëndrimet e Kosovës dhe Serbisë, por deri tani këto përpjekje kanë rezultuar të pasuksesshme.

Takimet e ndërmjetësuesve nga ana e Kosovës, Bisnik Bislimi dhe nga ana e Serbisë Petar Petkoviq, kanë përfunduar shpeshherë pa asnjë rezultat konkret, dhe në disa raste ato kanë dështuar plotësisht.

Çfarë të presim në vitin 2025?

Edhe pse viti 2024 ka qenë një vit i tensioneve dhe incidenteve të dhunshme, nuk pritet që vitin 2025 të sjellë një ndryshim të ndjeshëm, të paktën jo në tremujorin e parë. Në Kosovë, zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në shkurt të vitit 2025 do të jenë një ngjarje e rëndësishme që mund të ndikojë në kursin e politikës kosovare, por është e paqartë se si do të ndikojnë ato në marrëdhëniet me Serbinë. Për momentin, është e paqartë nëse dialogu mes Kosovës dhe Serbisë do të rifillojë në një formë më konstruktive apo nëse do të vazhdojnë tensionet dhe përplasjet mes palëve.

TRT Balkan