Kosova i bashkohet deklaratës së G7-shit mbi mbështetjen për Ukrainën.     /Foto: AA 

Duke iu bashkuar kësaj Deklarate, Republika e Kosovës rithekson se sigurimi i fitores për popullin ukrainas, si dhe llogaridhënia e liderëve të Rusisë për krimet e tyre, është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe demokracisë, në Evropë dhe më tej”, theksoi Kurti.

Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e saj të fundit e cila u mbajt në mënyrë elektronike ka miratuar vendimin nëpërmjet të cilit i është bashkuar Deklaratës së Përbashkët të vendeve të G7 mbi mbështetjen për Ukrainën.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas miratimit të këtij vendimi, shkroi në rrjetet sociale se kjo Deklaratë shpreh mbështetjen e parezervë për përpjekjet e guximshme të Ukrainës për të mbrojtur institucionet e veta demokratike prej luftës ilegale dhe të paprovokuar të Rusisë.

“Duke iu bashkuar kësaj Deklarate, Republika e Kosovës rithekson se sigurimi i fitores për popullin ukrainas, si dhe llogaridhënia e liderëve të Rusisë për krimet e tyre, është e domosdoshme për ruajtjen e paqes dhe demokracisë, në Evropë dhe më tej”, theksoi Kurti.

Në letrën e nënshkruar nga kryeministri Kurti mbi mbështetjen për Ukrainën ndër të tjerash shkruan se pushtimi ilegal dhe i paprovokuar i Ukrainës nga ana e Rusisë “mbetet një kërcënim ndaj paqes dhe sigurisë ndërkombëtare” dhe se, “çmimi i shkaktuar deri tani, në jetë njerëzish, stagnim ekonomik dhe shkatërrim mjedisor, ka qenë katastrofal për popullin ukrainas”.

“Pasojat e konfliktit kanë ndikuar edhe përtej kufijve të Ukrainës. Në përpjekje për të tërhequr vëmendje prej luftës së saj ilegale, Rusia po tenton të destabilizojë Ballkanin Perëndimor, me ndihmën e aleatëve të saj kryesorë autokratikë në rajon”, shkruan në deklaratë.

Tutje, në këtë letër specifikohet se Kosova ka shprehur gjithashtu gatishmërinë për të pranuar deri në 5,000 refugjatë nga konflikti dhe ka mirëpritur në Kosovë 18 gazetarë ukrainas, duke iu ofruar një vend të sigurt.

“Tani që lufta ilegale e Rusisë po zgjat, duke hyrë thellë në vitin e saj të dytë, Republika e Kosovës, nëpërmjet kësaj letre, i bashkohet Deklaratës së Përbashkët të Vendeve të G7-shit mbi Mbështetjen për Ukrainën. Tani më shumë se kurrë bota demokratike duhet të flasë me një zë, drejt një qëllimi të përbashkët. Sigurimi i fitores për popullin ukrainas, si dhe llogaridhënia e liderëve të Rusisë për krimet e tyre, është i domosdoshëm për ruajtjen e paqes dhe demokracisë, në Evropë dhe më tej”, thuhet në letër.

Kosova është nga vendet e para që ka dënuar pushtimin rus të Ukrainës duke iu bashkëngjitur edhe sanksioneve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) dhe Bashkimit Evropian (BE), kundër Rusisë.


TRT Balkan / agjencitë