Kosova miraton buxhetin për vitin 2025            / Foto: AA

Deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë miratuar në parim buxhetin për vitin 2025.

Në një seancë që zgjati për disa orë me radhë, deputetët me shumicë votash miratuan buxhetin në vlerë prej 3,6 miliardë eurosh, të cilin Qeveria e Kosovës paraprakisht e kishte miratuar më 30 tetor.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, para deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilëve u kërkoi që ta miratojnë buxhetin e vitit 2025, tha se ky buxhet është rreth 9 për qind më i lartë se sa buxheti i vitit 2024 ose 60 për qind më i lartë sesa buxheti i vitit 2020.

Kurti tha se ky buxhet është buxhet për familjen, sepse “secila familje duhet e do të përfitojë”. Ai shtoi se me këtë buxhet do të përfitojnë edhe bizneset dhe ekonomia.

Sipas Kurtit, prioritet mbetet zhvillimi ekonomik, vazhdimi i krijimit të vendeve të reja të punës dhe rritja e mirëqenies për të gjithë, derisa për vitin e ardhshëm nënvizoi se pritjet janë që rritja ekonomike të arrijë në 5,6 për qind të Bruto Produktit Vendor.

Megjithatë, deputetë të opozitës e kanë parë me skepticizëm buxhetin duke drejtuar kritika drejt Qeverisë gjatë seancës.

Ditë më parë ishte bërë e ditur se me këtë buxhet janë ndarë 930 milionë euro për investime infrastrukturore, 60 milionë euro për skema të shtesave për fëmijë, 105 milionë euro për nevoja të shëndetësisë, 87 milionë euro janë ndarë për nevoja të sigurisë e mbrojtjes, municion e pajisje të nevojshme dhe 788 milionë euro për komunat e Kosovës.

TRT Balkan / agjencitë